Ministri i Mbrojtjes i Izraelit njoftoi të hënën një seri masash që synojnë forcimin e Autoritetit Palestinez, përfshirë planet për të huazuar 150 milionë dollarë për qeverinë autonome në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Njoftimi erdhi një ditë pasi Ministri i Mbrojtjes Benny Gantz u takua me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas në takimin e parë të nivelit të lartë mes dy palëve prej vitesh.

Kontaktet e shtuara dhe gjestet izraelite shënojnë një ndryshim të drejtimit pas prishjes së plotë të komunikimit midis Abbasit dhe udhëheqësve izraelitë në vitet e fundit. Qeveria e re e Izraelit ka thënë se është e interesuar të forcojë Abbasin në rivalitetin e tij kundër grupit militant Hamas në Gaza.

“Sa më i fortë të jetë Autoriteti Palestinez, aq më i dobët do të jetë Hamasi”, u citua zoti Gantz të thoshte të hënën nga korrespondentët e ushtrisë izraelite. “Dhe sa më e madhe të jetë aftësia e tij për të qeverisur, aq më shumë siguri do të kemi dhe aq më pak do të duhet të bëjmë”.

Lëvizjet izraelite vijnë dy ditë pasi Presidenti Joe Biden i kërkoi kryeministrit të ri të Izraelit gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë të ndërmerrte hapa drejt përmirësimit të jetës së palestinezëve.

Zyra e Gantzit tha se ai i tha Abbasit se Izraeli do të marrë masa të reja për të forcuar ekonominë palestineze. Ai tha se ata gjithashtu diskutuan çështje të sigurisë dhe ranë dakord të vazhdojnë të jenë në kontakt. Besohet se ky ishte takimi publik i nivelit më të lartë mes palëve që nga viti 2014.

Më vonë të hënën, zyra e Gantzit konfirmoi se Izraeli kishte rënë dakord t’i huazonte Autoritetit Palestinez 500 milionë shekelë (155 milionë dollarë). Paratë do të paguhen me fonde tatimore që Izraeli normalisht mbledh për palestinezët.

Izraeli gjithashtu do të autorizojë leje pune për 15’000 punëtorë palestinezë shtesë dhe do të zgjidhë statusin e qëndrimit për një numër njerëzish që jetojnë në Bregun e pushtuar Perëndimor. Këtu përfshihen palestinezët me origjinë nga Gaza dhe bashkëshortët e huaj të palestinezëve vendas.

Hussein Al Sheikh, një zyrtar i lartë palestinez që mbikëqyr marrëdhëniet me Izraelin, tha se ishte arritur një marrëveshje fillestare për të zgjidhur statusin e rreth 5’000 familjeve.

Ai tha se ishte “një pjesë e parë në rrugën drejt finalizimit të plotë të kësaj dosjeje”.

Kryeministri izraelit Naftali Bennett është një person i linjës së ashpër që kundërshton pavarësinë palestineze, ashtu siç bëjnë partnerët kryesorë në koalicionin e tij të gjerë qeverisës. Por, Bennett ka thënë se ai mbështet ndërtimin e ekonomisë palestineze dhe zgjerimin e autonomisë për palestinezët.

Ai gjithashtu është i interesuar për dobësimin e Hamasit në vazhdën e një lufte 11-ditore majin e kaluar. Përpjekjet e udhëhequra nga Egjipti për të ndërmjetësuar një armëpushim afatgjatë kanë marrë fund javët e fundit dhe Hamasi ka organizuar një sërë demonstratash të dhunshme përgjatë kufirit izraelit me shpresën për t’i bërë presion Izraelit të lehtësojë bllokadën ekonomike ndaj territorit.

Ndërsa Presidenti Biden mbështet një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve, administrata e tij është e fokusuar në masat e përkohshme të ndërtimit të besimit.

Ish-Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ndoqi një politikë të ashpër ndaj palestinezëve, të mbështetur nga ish-Presidenti Donald Trump.

Administrata e ish-Presidentit Trump ndërmori një numër hapash që favorizuan Izraelin, përfshirë zhvendosjen e Ambasadës Amerikane nga Tel Avivi në Jeruzalemin e pretenduar nga të dyja palët. Në këmbim, Abbas ndërpreu pjesën më të madhe të kontakteve me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.

Netanyahu kishte deklaruar vazhdimisht se Abbas nuk ishte një partner i besueshëm për negocimin e një marrëveshje paqeje, një portretizim i hedhur poshtë nga kritikët e Netanyahut si një pretekst për të shmangur bërjen e lëshimeve.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb