Izraeli ka në plan të vendosë kufizime të reja shëndetësore për të luftuar kundër COVID-19, për shkak të një rritjeje të infektimeve, sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit.

Sipas këtij plani të propozuar bashkërisht nga kryeministri, ministri i Shëndetësisë dhe ministri i Ekonomisë, që duhet të miratohet nga qeveria, vetëm personat plotësisht të vaksinuar ose të shëruar nga COVID-19 do të lejohen të marrin pjesë në ngjarje me më shumë se 100 pjesëmarrës në vende të mbyllura.

Ata, gjithashtu, do të duhet të mbajnë maska.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se karantina e detyrueshme për personat që kanë qenë në kontakt me persona të infektuar dhe banorë të pavaksinuar, që kthehen nga jashtë, do të zgjasë shtatë ditë në vend të dhjetë ditëve që ishte më parë, nën kushtet e një testi negativ.

Kryeministri Naftali Bennett u bëri thirrje izraelitëve që të mbajnë maska ​​në vende të mbyllura publike dhe të shmangin udhëtimet.

Izraeli ka qenë një nga vendet e para që filloi një fushatë masive vaksinimi në mes të dhjetorit.

Kjo fushatë shpërndau dy doza të vaksinës në më shumë se 55% të popullsisë së vendit dhe rreth 85% të të rriturve, duke rezultuar në rihapjen e kafeneve, bareve dhe dyqaneve dhe një ulje të numrit të rasteve në më pak se 100 në ditë kundrejt 10 000 në kulmin e epidemisë.

Megjithatë, në javët e fundit, rastet COVID-19 kanë filluar të rriten sërish në sfondin e përhapjes së variantit Delta, duke i shtyrë autoritetet të rivendosin disa masa të tilla, si mbajtja e një maske në vende të mbyllura publike.

Më shumë se 600 raste të reja janë raportuar në 24 orët e fundit, nga rreth 200 në ditë mesatarisht një javë më parë.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb