Lajme të mira për Kombëtaren dy ditë para ndeshjes me Izraelin. Në kampin kundërshtar kanë nisur telashet për shkak të pezullimeve disiplinore dhe dëmtimeve të lojtarëve. Në përballjen e së shtunës në Elbasan miqve do t’u mungojë mesfushori Nir Biton, një ndër lojtarët më të rrezikshëm në përfaqësuesen izraelite. 25-vjeçari i Sëlltikut u përjashtua nga skuadra pasi nuk pranoi të kryente një ushtrim stërvitor në seancën e të enjtes paradite.

Refuzimi i lojtarit erdhi si reagim pasi dëgjoi se nuk do të ishte titullar në duelin me Shqipërinë dhe sipas mediave izraelite, ai nuk do të thirret më në kombëtare për sa kohë trajner do të jetë Elisha Levi. Ndërkohë, grumbullimin e ka lënë përgjysmë edhe portieri i dytë Ofir Marciano, si pasojë e një dëmtimi të pësuar të mërkurën. Si zëvendësues i tij u thirr “gardiani” i përfaqësueses U-21, Boris Kleiman, por ky i fundit refuzoi. Në këto kushte, vendin e lënë bosh e mbushi Deni Amos që aktivizohet me Petah Tikvën.

Sa i takon udhëtimit, për arsye sigurie Federata Shqiptare e Futbollit nuk bën të ditur kohën kur përfaqësuesja e Izraelit do të mbërrijë në vendin tonë. Zëdhënësja e FSHF-së, Jona Dervishi, tha sot se nuk është e autorizuar të japë informacione mbi këtë çështje./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: