Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se ndalimi i një vizite të kongresisteve demokrate të SHBA-së, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar kishte për qëllim t’i parandalonte ato të dëmtonin Izraelin. “Nuk ka asnjë vend në botë që respekton SHBA-të dhe Kongresin Amerikan më shumë sesa Izraeli”, tha Netanyahu në një deklaratë.

“Sidoqoftë, itinerari tregoi se qëllimi i vetëm i kongresisteve ishte të dëmtonin Izraelin”, shtoi kryeministri izraelit. Më herët, Izraeli njoftoi do të ndalojë një vizitë të dy kongresisteve amerikane, Rashida Tlaib dhe Ilhan Omar, të cilat planifikuan të vizitojnë Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor.

“Vendimi është marrë, atyre nuk u lejohet të hyjnë”, tha zëvendës-ministrja e Jashtme izraelite, Tzipi Hotovely për Reshet Bet Radio.

Presidenti amerikan, Donald Trump, i kishte sugjeruar më parë Izraelit të mos lejojë vizitën nga Tlaib dhe Omar, dy gratë e para myslimane të zgjedhura në Kongres dhe anëtare të Partisë Demokratike.

“Do të tregonte dobësi të madhe nëse Izraeli do të lejonte vizitën e Omar dhe Tlaib . Ato e urrejnë Izraelin dhe tërë popullin hebre. Nuk ka asgjë që mund të thuhet, ose të bëhet, për të ndryshuar mendjen e tyre. Minesota dhe Michigan do ta kenë shumë të vështirë t’i kthejnë në detyrë. Ato janë një turp!”, ka shkruar Trump në Twitter.

Dyshja kanë shprehur mbështetje për lëvizjen pro-palestineze ”Bojkot dhe Sanksione” (BDS). Sipas ligjit të Izraelit, mbështetësve të lëvizjes BDS mund të iu mohohet hyrja në Izrael.

Nuk kishte ndonjë datë të njoftuar për udhëtimin e kongresisteve, por burime të njohura me vizitën e planifikuar thanë se ajo mund të fillonte në fundjavë. /Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb