Një grup izraelit i të drejtave të njeriut ka paralajmëruar autoritetet izraelite kundër politizimit të vaksinave COVID-19 për palestinezët në Rripin e Gazës.

Karim Gibran, zëdhënësi i B’Tselem, tha se Izraeli ka një përgjegjësi sipas ligjit ndërkombëtar si një fuqi okupuese për të siguruar vaksinat e koronavirusit për “të gjithë palestinezët në territoret palestineze, përfshirë në Rripin e Gazës”.

“Izraeli, si një fuqi okupuese, ka një detyrë sipas ligjit ndërkombëtar dhe Konventës së katërt të Gjenevës për të siguruar vaksinimin për të gjithë palestinezët nën okupim”, thonë nga grupi izraelit.

Dje, deputeti izraelit Yoav Hindel, i cili njëkohësisht është kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe të Sigurisë së Parlamentit, bëri thirrje për lirimin e 4 ushtarëve izraelitë të burgosur nga Hamasi si një parakusht në mënyrë që palestinezët në Gaza të marrin vaksinat.

“Për sa kohë që nuk ka asnjë gjest humanitar nga ana e Hamasit për të kthyer të burgosurit dhe të vdekurit, vaksinat nuk janë ushqim ose ujë”, shkroi Hindel në Twitter.

Ushtarët janë mbajtur peng nga Hamasi që nga sulmi izraelit ndaj Gazës në vitin 2014.

Fushata e vaksinimit filloi dy ditë më parë në Bregun Perëndimor të okupuar.

Të martën, Ministria e Shëndetësisë e Palestinës njoftoi fillimin e fushatës së vaksinimit për ekipet mjekësore në territoret palestineze pasi morën 2.000 doza të vaksinave nga autoritetet izraelite.

Ministria shtoi se një pjesë e dozave do të dërgohen në Gaza një ditë më vonë, diçka që nuk ka ndodhur deri më tani.

Megjithatë, Korporata e Transmetimit Izraelit raportoi të martën kundërshtimin e Izraelit ndaj Ministrisë së Shëndetësisë së Palestinës për të dorëzuar vaksinat në Gaza.

Gibran, organizata e të cilit bën thirrje për t’i dhënë fund pushtimit izraelit të territoreve palestineze, kritikoi kundërshtimin e Izraelit për të siguruar vaksina për palestinezët nën okupim si një “politikë e aparteidit”.

“Në një zonë gjeografike, Izraeli siguron vaksina për më shumë se 600 mijë kolonë izraelitë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, ndërsa nuk u siguron vaksinë palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës”, shtoi ai.

Numri i përgjithshëm i izraelitëve që kanë marrë dozën e parë të vaksinës arriti në 3.370.951, ndërsa numri i atyre që morën dozën e dytë arriti në 1.965.972, njoftoi sot Ministria Izraelite e Shëndetësisë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb