Ushtria izraelite  njoftoi se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore rrëzuan një dron të lëshuar nga Gaza e bllokuar në drejtim të Izraelit.

“Në total 160 avionë luftarakë, duke u ngritur nga gjashtë baza të ndryshme ajrore në Izrael, gjuajtën rreth 450 raketa në 150 objektiva në Gaza brenda 40 minutash”, tha zëdhënësi i ushtrisë së izraelit Avichay Adraee në një deklaratë.

Brigadat Al-Kassam, krahu ushtarak i grupit Hamas, thanë se sulmuan një fabrikë kimike në Nir Oz me një dron Shehab në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit në Gaza.

Ndërkohë, Brigadat Al-Kuds, krahu ushtarak i grupit palestinez Xhihadi Islam thanë se shënjestruan një pozicion izraelit pranë Gazës me një mortajë.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, grupet e rezistencës palestineze kanë lëshuar 4 dronë në Izrael që nga 12 maji.

Sulmet izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës martirizuan sot 10 palestinezë, duke e çuar numrin e viktimave në 119, tha Ministria e Shëndetësisë në Gaza. Viktimat përfshijnë 31 fëmijë dhe 19 gra ndërsa numri i të plagosurve u rrit në 830.

Avionët luftarakë izraelitë kanë rinisur sulmet ajrore në Gaza, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesat e banimit.

Situata u tensionua në lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të okupuar gjatë muajit të kaluar ndërsa kolonët izraelitë u futën pas një urdhri gjykate për dëbimin e familjeve palestineze në zonë.

Kohët e fundit, tensionet u përshkallëzuan më tej, duke u zhvendosur nga Kudsi Lindor në Gaza pasi grupet palestineze të rezistencës atje u zotuan për hakmarrje ndaj sulmeve izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe Sheik Jarrah nëse nuk ndaleshin.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb