Sfida më e përfolur që Shqipëria ndoshta ka luajtur ndonjëherë deri më tani, atë me Izraelin nuk ishte thjesht një humbje. Thelbi qëndron disi më larg, ndoshta qysh në fillimet e këtyre eliminatoreve. Duke kryqëzuar gjyqtarin ne ndoshta po mundohemi të fshehim problemet që realisht na rrethojnë. Sfida e parë ajo me Maqedoninë pothuajse na verboi. Arritëm të merrnim një trepikësh me shumë vlera por harruam të analizonim si erdhi kjo fitore. Ndoshta nga se futbolli kështu është. Gjithsesi atë ndeshje ne luajtëm 10 minutat e fillimit dhe pjesën tjetër që u shty për të nesërmen. A i mjafton kaq një ekipi që kishte pretendime të tjera?

Udhëtimi në Litenshtejn ndoshta ishte “qershia mbi tortë” e asaj që ne po na mban peng. Fituam dhe kryesuam renditjen e grupit për pak kohë duke lënë mbrapa Spanjën dhe Italinë. Një kundërshtar që për hir të së vërtetës ishte shumë poshtë për nga cilësia me ekipin tonë. Loja që ne zhvilluam atje? Pa asnjë orientim të saktë. Ideja ishte të merrnim topin dhe të krosonim, pastaj të dalë ç’të dalë. Ndoshta për fatin tonë të “keq” ashtu doli, funksionoj. Momenti na rrëmbeu, ndoshta dhe për faktin se parakaluam dy nga skuadrat më të forta në botë.

Të gjithë me padurim prisnim ditën kur kombëtarja Spanjolle të zbarkonte në Shqipëri. Kurioziteti për të parë nga afër Iniestën, Moratën, Kostën, De Gean apo ndonjë tjetër na largoi nga realiteti. 90 minutëshi në Shkodër ishte më shumë se për tu harruar. Dikush mund të thotë se përballë kishim një ekip që pothuajse e ka të pamundur çdo skuadër për ta mposhtur. Gjithsesi nuk po kërkonim fitore, mund të mos na bënte punë as barazimi. Donim të shihnim atë kombëtare në Francë. Që nuk pyeste kë kishte përballë, e jo tani që nuk prekte fare topin. Vërtetë ne nuk mund ta kalonim më shumë se tre herë mesin e fushës? Na u tha kaq forcë kemi, do të mundim Izraelin.

Vijmë në sfidën më të pazakontë. Atë që policia e shtetit duhet të përdorë 30% të kapacitetit të saj për ta bërë “normale” këtë takim. Pas shumë e shumë peripecive vijmë te ndeshja. Tre shuplaka nga miqtë e Izraelit. Për lojë as që mund të flitet. Sërish thuhet të shohim para, por harrojnë atë çfarë kemi bërë mbrapa. A ishte kështu kombëtarja jonë deri në Europian? Çfarë po ndodh? Pse nuk i pranojnë lojtarët dhe trajneri kritikat? Mos kemi kaluar ne vetëkënaqësi? A mundet më De Biazi ta mbajë këtë ekip të përqendruar? Pse kohët e fundit është aq arrogant me mediat? Pse nuk është më arma jonë më e fortë grupi?
(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: