Avionët izraelitë goditën sot qytetin e Gazës, duke vrarë një militant palestinez dhe të paktën 14 të tjerë në operacionin më të madh ushtarak në 15 muaj.

Izraeli tha se po ndërmerrte veprime kundër grupit të Xhihadit Islamik në përgjigje të një kërcënimi të afërt pas arrestimit të një militanti të lartë në Bregun Perëndimor.

The Times ka raportuar se sulmet ajrore u urdhëruan pasi vëzhgimi zbuloi se ekipet palestineze të raketave antitank po vendoseshin në pozicion për të qëlluar Izraelin.

“Sulmet goditën ekipet e raketave të Xhihadit Islamik dhe vranë Thaisir al-Jabari, komandantin e grupit, në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Ai ishte gjithashtu në krye të ekipeve antitank të lëvizjes dhe ishte koordinator ushtarak me Hamasin, organizatën palestineze që drejtonte Rripin e Gazës”, deklaroi Izraeli.

Al-Jabari u vra nga një raketë e lëshuar nga një dron, e cila e goditi atë jashtë një ndërtese banimi në periferi.

Sipas burimeve ushtarake izraelite, rreth 15 militantë të Xhihadit Islamik u vranë në sulmet ajrore. Burimet palestineze raportuan se një numër civilësh duke përfshirë një vajzë pesëvjeçare ishin në mesin e të vdekurve.

Në një mesazh në gjuhën arabe të destinuar për banorët e Gazës, një gjeneral-major izraelit, Ghassan Alian, tha se organizata terroriste e Xhihadit Islamik ishte e vendosur të kryente një sulm ndaj Izraelit pa asnjë konsideratë për sigurinë e civilëve dhe banorëve të Gazës.

“Ushtria jonë veproi kundër atyre që kërkonin të minonin stabilitetin”, tha Izraeli.

Në deklaratë thuhej se Izraeli e konsideron Hamasin përgjegjës për përshkallëzimin, megjithatë, Izraeli nuk e ka vënë në shënjestër Hamasin deri më tani në atë që po e quan Operacionin “Rising Daën”, megjithëse zyrtarët e paralajmëruan grupin që të qëndrojë jashtë përleshjes.

Në maj 2021 Izraeli luftoi Hamasin dhe Xhihadin Islamik në një luftë që mori 270 jetë nga të dyja palët. Kriza aktuale filloi kur Izraeli arrestoi një komandant të lartë të Xhihadit Islamik këtë javë. Që atëherë, Izraeli ka pritur një hakmarrje nga militantët në Gaza.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb