Birra freskuese dhe e ftohtë është një mënyrë e përsosur për t’u çlodhur pas një dite të lodhshme. Por a e keni ditur se birra ka përbërës shërues? Sigurisht, për të shfrytëzuar përfitimet maksimale të birrës, duhet pasur një limit dhe ta pini atë në sasi të kufizuar. Konsumi i tepruar i birrës mund të shkaktojë probleme me zemër dhe mëlçi, shkruan “koha.net”.

Konsumi i moderuar i birrës përfshin rreth 350 ml në ditë për femrat, dhe dy herë më shumë për meshkujt.

Kjo pije nuk përmban yndyrë, kolesterol, por është e pasur edhe me materie ushqyese si fibrat, magnezi, seleni, kaliumi, fosfori, kromi dhe vitaminat e kompleksit B. Disa studime shkencore kanë treguar se birra është e mirë për shëndetin e përgjithshëm dhe ka efekt parandalues për shumë sëmundje. Ja pse është birra e mirë për shëndetin tuaj:

1. E zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës

Shkencëtarët nga Universiteti Harokopio në Athinë kanë zbuluar se konsumi i moderuar i birrës e zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Kjo është kryesisht për shkak se fibrat e birrës ndihmojnë në uljen e nivelit të kolesterolit të keq. Birra gjithashtu e rrit nivelin e kolesterolit të mirë, duke e zvogëluar rrezikun e problemeve të zemrës. Birra gjithashtu përmban polifenole, antioksidantë që kanë një ndikim pozitiv në shëndetin e zemrës.

2. Parandalon formimin e gurëve në veshka
Birra është e njohur për faktin se ka një efekt pozitiv në shëndetin e veshkave. Studimi i kryer në Finlandë ka treguar se konsumi i moderuar i përditshëm i birrës mund ta zvogëlojë rrezikun nga zhvillimi i gurëve në veshka për 40 për qind.

Përqindja e lartë e ujit në birrë ndihmon në funksionin e veshkave, ndërsa toksinat largohen më lehtë nga trupi. Gjithashtu, birra e zvogëlon rrezikun nga dehidratimi, që është një nga shkaqet kryesore të zhvillimit të gurëve në veshka. Substancat e përfshira në humulus e ngadalësojnë lirimin e kalciumit nga eshtrat, duke e reduktuar kështu rrezikun e grumbullimit të kalciumit dhe shfaqjen e gurëve në veshka.

3. Zvogëlon rrezikun nga goditja në tru
Disa studime amerikane kanë treguar se personat të cilët konsumojnë alkool në sasi të moderuar janë më pak të ekspozuar ndaj rrezikut nga goditja në tru, dhe atë për 50 për qind, në krahasim me personat që nuk pinë birrë. Birra e zvogëlon mundësinë e shfaqjes së trombeve, ndërkohë që i bën arteriet më elastike dhe më pak të prira ndaj ngurtësimeve, pohojnë shkencëtarët nga Harvardi.

4. Forcon eshtrat
Birra përmban silic, i cili është jashtëzakonisht i favorshëm për shëndetin e eshtrave. Silici e rrit dendësinë e eshtrave dhe i bën ato më të forta. Sipas një studimi të kryer në vitin 2009 në universitetin Tufts, personat e moshuar të cilët rregullisht pinin sasi të moderuara të birrës kishin dendësi më të mirë eshtrave. Megjithatë, nëse merret në sasi të mëdha, birra mund t’i dobësojë eshtrat.

5. Parandalon kancerin e prostatës
Konsumi i moderuar i birrës mund të ketë efekte antikancerogjene. Kjo pije alkoolike përmban ksantohumol, një antioksidant fuqishëm që ka veti anticancerogjene. Këto substanca kanë një efekt parandalues të shfaqjes së kancerit të prostatës dhe kancerit të gjirit.

6. Zvogëlon rrezikun e diabetit
Shumë studime kanë treguar se konsumi i moderuar i birrës mund ta parandalojë shfaqjen e sëmundjeve si diabeti. Alkooli i përfshirë në birrë e rrit ndjeshmërinë ndaj insulinës, me ç’rast mbron kundër shfaqjes së diabetit. Sipas rezultateve të studimit të kryer në Harvard në vitin 2011, birra mund ta zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 për 25 për qind.

7. Hidraton lëkurën
Pas aktivitetit fizik, birra e hidraton organizmin më mirë se uji. Kjo është kryesisht për shkak se karbonizmi i pijes e shuan etjen më mirë. Dihet se egjiptianët janë larë me birrë, sepse kjo pije në mënyrë të shkëlqyeshme e hidraton lëkurën. Gjithashtu, birra mund t’i largojë toksinat nga lëkura dhe t’i ofrojë asaj shkëlqim.

8. Eliminon zbokthin
Për shkak se është e pasur me vitaminë B, dhe përmban tharm, birra është një nga preparatet më të mira natyrale kundër zbokthit. Lani flokët tri herë në javë me birrë dhe zbokthi do të harrohet. Vetëm sigurohuni që t’i lani flokët mirë pas kësaj, sepse era e birrës mund të mbetet gjatë në flokë. Pas këtij trajtimi flokët do të jenë me shkëlqim dhe të butë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: