Me rastin e Ditës Botërore kushtuar Ndërgjegjësimit për Cunamet, njerëzimi vazhdon të përballet me një sfidë të dyfishtë në mundësinë e parashikimit në kohë të ardhjes së cunamit, sepse krahas teknologjisë duhet të vazhdohet puna për ndërgjegjësimin e popullatës.

Ja edhe cunamet që kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit:

Indonezi

Pas tërmetit me magnitudë prej 9,1 ballë në brigjet e Sumatrës, Indonezi, më 26 dhjetor 2004, që parashikohet se ka ndodhur në thellësi prej 30 kilometrash, valët me lartësi prej 50 metrash vërshuan deri në 5 kilometra drejt tokës. Në këtë fatkeqësi humbën jetën rreth 230 000 persona.

Në cunamin që ndodhi më 27 gusht 1883 në Indonezi, si pasojë e shpërthimit të vullkanit Krakatau Kaldera, u shkatërruan qytezat Anjer dhe Merak. Si pasojë e cunamit humbën jetën 38 000 persona, ndërsa si pasojë e shpërthimit vullkanik 2 000.

Japoni

Një cunami në bregun lindor të Japonisë, në Paqësorin verior, më 11 mars 2011, shkaktoi vdekjen e mbi 18 000 personave. Valët me lartësi prej 10 metrash shkaktuan detyruan evakuimin e 452 000 personave nëpër strehimore të përkohshme.

Një tërmet me magnitudë 8,3 ballë vlerësohet të ketë ndodhur më 20 shtator 1498, në Detin Enshunada, Japoni. Thuhet se cunami i ndodhur si pasojë e tërmetit ka shkaktuar vdekjen e 31 000 personave.

Gjithashtu, si pasojë e një tërmeti tjetër me magnitudë 8,4 ballë, që ndodhi në Nankaido të Japonisë, më 28 tetor të vitit 1707, shkaktoi dallgët deri në 25 metra. Në rajonin e prekur nga cunami shumë vendbanime u dëmtuan rëndë dhe rreth 30 000 persona humbën jetën.

Tërmeti 7,6 ballë në rajonin Sanriku të Japonisë, më 15 qershor 1896 dhe cunami që e pasoi, shkatërroi më shumë se 11 000 shtëpi dhe shkaktoi vdekjen e 22 000 personave. Valët prej 38 metrash, thuhet se kanë prekur bregun lindor të Kinës, ku kanë vrarë 4 000 persona.

Tërmeti me magnitudë 7,4 ballë, që ndodhi në ishujt Ryukyu të Japonisë, më 24 prill 1771 preku shumë ishuj të rajonit dhe dallgët prej 85 metrash të larta shkaktuan dëmin më të madh në ishullin Ishigaki. Në këtë fatkeqësi humbën jetën rreth 12 000 persona.

Më 18 janar 1586, tërmeti me magnitudë 8,2 ballë që ndodhi në rajonin e Gjirit Ise të Japonisë, shkaktoi një cunami me valë deri në 6 metra lartësi. Numri i viktimave nuk dihet.

Portugali

Valët 30 metra të larta, pas tërmetit prej 8,5 ballësh në Lisbonë, kryeqyteti i Portugalisë, më 1 nëntor 1755, shkaktoi dëme të renda në shumë qytete në bregun perëndimor të Portugalisë, në Spanjën jugore, si edhe në Marok. Pas tërmetit dhe cunamit humbën jetën rreth 6 000 persona në Portugali, Marok dhe Spanjë.

Kili

Cunami që ndodhi pas tërmetit 8,5 ballësh në veri të Kilit, më 13 gusht 1868, shkaktoi valë deri në 21 metra lartësi, zgjati tri ditë dhe shkaktoi vdekjen e rreth 25 000 personave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb