Publikohet historia e panjohur e ngjarjes së shumëpërfolur të 22 gushtit të vitit 1944, kur pesë djem të rinj, Ndoc Dedë Marku, Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Hydajet Lezha dhe Ahmet Haxhia, pjestarë të çetës partizane “Pukë-Mirditë”, teksa ishin duke shkuar për në rrethin e Mirditës, me mision nga Qarkori Komunist i Shkodrës për të përhapur idetë komuniste dhe për të rekrutuar djem të rinj të asaj krahine për në rradhët partizane, mbetën të rrethuar nga xhandarët e Komunës së Kalivaçit. Memorie.al sjell dëshmine e rrallë te Mark Dodanit, ish-oficer i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendëshme me gradën nënkolonel në organet e Sigurimit të Shtetit dhe bashkëluftëtar i tyre në çetën “Pukë-Mirditë”, lidhur me atë ngjarje të bujshme ku mbetën të vrarë “5 Heronjtë e Vigut”, që nga shtëpia ku ata kaluan natën dhe u morrën në besë prej tyre, si u rrethuan ata nga xhandarët e Pjetër Llesh Gjegjanit dhe kush ishte njeriu që dyshohet se i spiunoi ata, përse “Pjetër Mustakuqi”, nuk pranonte që të hiqte pritën edhe pasi aty shkoi paria e pleqësisë së Vigut, si e argumentonte ai Kanunin se pesë të rrethuarit nuk mund të merreshin në besë, vrasja e pesë pjestarëve të atij njësiti partizan dhe marrja e trupave të pajetë nga familjet e tyre, e deri tek hakmarrja e regjimit komunist në vitin 1948 ndaj të akuzuarëve si përgjegjës për atë ngjarje, duke vrarë 20 pjestarë të “bandës së Pjetër Mustakuqit”?!

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Plot 76 vjet më parë në pasditen e 22 gushtit të vitit 1944, një njësit i vogël partizan i çetës “Pukë-Mirditë” që përbëhej prej Ndoc Ded Markut, Ndoc Mazit, Naim Gjylbegut, Ahmet Haxhisë e Hydajet Lezhës, të cilët po udhëtonin në drejtim të asaj krahine me një mision të ngarkuar nga Qarkori i Partisë Komuniste të Shkodrës, në afërsi të fshatit Vig, në vendin e quajtur Buzabardh, u rrethuan nga forcat e xhandarmërisë së Komunës së Kalivaçit që komandoheshin nga vetë Kryetari i asaj Komune Pjetër Llesh Gjegjani, i cili urdhëroi vrasjen e tyre, pasi i mbajti tetë orë të rrethuar dhe ata s’pranuan kushtet e tij që ata të dorzonin armët. Ajo ngjarje bëri bujë të madhe dhe që të nesërmen e asaj dite lajmi i vrasjes së tyre u përhap në të gjithë Veriun, e më pas në të gjithë Shqipërinë, pas një trakti që hodhi Partia Komuniste Shqiptare, e cila i shpalli ata “Dëshmorë të Atdheut”, duke njoftuar se 5 komunistët kishin rënë duke luftuar më forcat mercenare të Gjon Markagjonit. Disa vjet pas mas mbarimit të Luftës, atyre i’u akordua tituli i lartë, “Hero i Popullit” dhe gjithashtu shumë vite më vonë, atyre ju ngrit një monument i madh në qëndër të qytetit të Shkodrës, i cili njihet nga të gjithë, si monumenti i “5 Heronjve të Vigut”. Po si qëndron e vërteta rreth asaj vrasje të bujshme? Përse ai njësit partizan i përbërë nga pesë djem fare të rinj, po udhëtonte në drejtim të malësisë së Mirditës dhe cili ishte misioni që i’u ishte ngarkuar atyre? Cili ishte itinerari i lëvizjeve që përshkuan ata natën e 20 gushtit dhe tek cila shtëpi u strehuan ata për të kaluar atë natë? Përse burrat e asaj kulle nuk ndodheshin atë natë në shtëpinë e tyre ku bujtën pesë komunistët? Kush ishte personi që zbuloi lëvizjen e tyre në mëngjezin e 22 gushtit dhe përse ai njoftoi Kryetarin e Komunës së Kalivaçit, i cili organizoi dhe rrethimin e tyre? A kishte lidhje familja e Kapidanit të Mirditës Gjon Markagjonit me vrasjen e tyre dhe a është e vërtetë akuza që u është atribuar atyre si të implikuar në atë ngjarje? A qëndron versioni i shumëpërfolur prej vitesh se ata të pestë u prenë në besë nga mirditasit dhe në bazë të Kanunit gjaku i tyre i ngeli në derë Mirditës? Si reagoi pushteti komunist kur erdhi në fuqi me personat e akuzuar si organizatorë të vrasjes së “5 Heronjve të Vigut” dhe kush ishte njeriu që zbuloi dhe organizoi vrasjen e Pjetër Llesh Gjegjanit e 20 pjestarëve të çetës së tij antikomuniste në nëtorin e vitit 1948 në malet e Mirditës?

Lidhur me këto e të tjera ngjarje dhe fakte nga jeta e tyre, na njeh intervista që i kemi marrë para disa vitesh nënkolonelit në pension, Mark Dodanit, njërit prej ish partizanëve të çetës “Pukë-Mirditë” dhe më pas oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, i njohur ndryshe edhe si skenarist i disa filmave dhe autor i shumë librave me temë nga arma e Sigurimit të Shtetit gjatë viteve të regjimit komunist. Me dëshmitë e tija që publikohen ekskluzive për Memorie.al, Dodani për herë të parë hedh dritë mbi atë ngjarje të largët, duke ndriçuar shumë nga misteret e vrasjes së “5 Heronjve të Vigut” që kanë ngelur enigmë për më shumë se një gjysëm shekulli me rradhë.

                                       Vijon nga numëri i kaluar

Shoku Mark, është thënë se atyre ju ka çuar ujë një grua e moshuar?

Po kjo gjë është e vërtetë, duke parë se pesë shokët e njësitit kishin afro tetë orë të rrethuar dhe prej vapës së madhe ishin të djegur nga etja, aty pranë bashkë me fshatërët që ishin mbledhur për të parë se ç’po ndodhte, ishte dhe një grua e moshuar, e quajtur Drane Jaku, e cila ishte nëna e partizanit Gjon Jak Cera, të çetës “Pukë-Mirditë” nga fshati Gomsiqe. Nënë Dranja mori një kotruve me ujë dhe u fut brenda rrethimit të pritës, pa marrë parasysh presionet e njerzve të Pjetër Lleshit që u përpoqën ta pengonin atë për të mos shkuar tek ata. Dranja i’u përgjigj njerzve të pritës, se ata i kishte miq shtëpie dhe shokë të djalit, e nuk e ndaloi hapin edhe pse njerzit e Pjetër Lleshit e kërcënëuan. Ajo vajti tek pesë shokët e njësitit që ishin rrethuar dhe ju dha ujë. Në atë kohe që nënë Dranja shkoi tek ata, duhet të kishte kaluar ora katër e pasdites. Ajo ju tha atyre: Ju lumtë që nuk po dorzoheni, por ruajuni se do t’ ju vrasin. Në çastin kur Dranja do të largohej, ata i thanë se po të kishte mundësi t’ju kryente një detyrë, duke ju dërguar një letër për çetën “Pukë-Mirditë” ku ishte dhe djali i saj Gjoni, ose për në Shkodër. Pasi Dranja i siguroi se e merrte përsipër atë gjë, ata e shkruan shpejt e shpejt letrën që tashmë është e njohur nga të gjithë dhe pasi ajo e futi në gji, u largua duke dalë nga rrethimi për në shtëpinë e saj.

Çfar ndodhi me pesë të rrethuarit pas largimit të asaj gruas që ju dha ujë?

Pas largimit të nënë Dranes, kur ora po shkonte rreth katrës apo pesës së pasdites, njerzit e Pjetër Lleshit që kishin organizuar pritën nga pozicionet që kishin zënë, ju bënë thirrje edhe njëherë pesë partizanëve të njësitit, që të dorzoheshin, ose për ndryshe ata do t’i vrisnin. Pas këtij paralajmërimi që ju bënë njerzit e Pjetër Lleshit, të pesë partizanët e rrethuar, duke mos besuar për asnjë çast se do vriteshin, ju përgjigjën atyre se nuk do dorzoheshin, pasi ishin në besë të shtëpisë së Gjin Lleshit.

Cili ishte reagimi i Pjetër lleshit dhe njerzëve të tij pas kësaj përgjigjie që morën nga të rrethuarit?

Menjëherë pas këtyre fjalëve kanë nisur bataretë e pushkëve.

Kush e nisi pushkën në fillim, pesë partizanët e rrethuar, apo njerzit e Pjetër Lleshit?

Kjo gjë nuk dihet e saktë, jo vetëm nga unë, por besoj dhe nga ata që kanë qenë atë ditë në vendngjarje, pasi në atë pyll vështirë, se mund të merrej vesh se nga vinin plumbat.

Sa ka zgjatur beteja me armë në mes tyre, sepse është thënë se aty është bërë luftë e madhe?

Sapo kanë nisur pushkët e para, të pesë partizanët e rrethuar, kanë qëlluar në drejtim të njerëzve të Pjetër Lleshit, me të gjitha armët që kishin nga pozicionet që kishin zënë. Përpjekja me armë ndërmjet tyre nuk ka zgjatur më shumë se gjysëm ore, për arsye se vendi ku ndodheshin pesë partizanët e rrethuar, ishte krejt i zhveshur dhe ata nuk kishin mundësi për t’u mbrojtur. Ai vend quhet Papardhoku i Buzabardhit të Vig-Kaster, në breg të lumit të Vomës. Për këtë arsye dhe përpjekja me armë nuk zgjati shumë, pasi njerzit e Pjetër Lleshit që kishin organizuar pritën, ishin shumë dhe e njihnin me pëllëmbë vendin.

Kush është vrarë i pari nga ata të pestë?

Nuk dihet me saktësi se kush është vrarë i pari nga ata, por thuhet se Naim Gjylbegu bashkë me Ndoc Dedë Markun, kanë sulmuar të parët në drejtim të njerzve të pritës për të çarë rrethimin dhe ata të dy kanë ngelur të vrarë në fillim. Por kjo gjë është me të dëgjuar, sepse nuk dihet e vërteta se kush u vra më shpejt, e kush më vonë.

 Çfar ndodhi pas vrasjes së tyre?

Menjëherë pas vrasjes së tyre, njerzit e Pjetër Lleshit u afruan tek ata dhe ju muarën armët, çantat me çfarë kishin dhe u larguan, duke urdhëruar që ata të mos i varroste njeri, por t’i linin aty, t’i hanin qentë pa varrosur.

Po gjatë gjithë asaj kohe prej tetë orësh që ata të pestë qëndruan të rrethuar, ku ndodhej çeta “Pukë-Mirditë”. A kishte dijeni ajo se ata ishin të rrethuar dhe përse nuk u erdhi në ndihmë?

Çeta “Pukë-Mirditë” e cila në atë kohë komandohej nga Kozma Stefi, ku bënin pjesë dhe shokët e deleguar të Qarkorit të Shkodrës, si Frano Jakova, Emin Reshiti (Emini) si dhe disa partizanë vendas tepër të njohur, si Mat Doda i Gomsiqes, Pren Llesh Çuni i Kalivaçit etj., ditën e 21 gushtit 1944, kur ka ndodhur rrethimi i pesë shokëve, është ndodhur në fshatin Buzhalë, që bie në mes Mnelës, Vigut e Korthpulës, ku ishin në pritje të pesë shokëve. Aty ka qenë një pjesë e çetës, pasi çeta vepronte e copëzuar. Ky vend ndodhet rreth një orë e gjysëm larg nga Buzabardhi, në një distancë që dëgjohen krismat e armëve.

A janë dëgjuar krismat e armëve nga partizanët e çetës atë pasdite kur ndodhi vrasja e tyre?

Po, të gjithë partizanët që janë ndodhur në atë vend, i kanë dëgjuar krismat e armëve, por ato nuk e dinin se nga vinin ato armë dhe çfarë po ngjiste në Buzabardh. Po atë mbrëmje, pasi pushuan bataretë e pushkëve, nga komanda e çetës u aktivizua një fshatar vendali, i quajtur Nikoll Preng Rrasa, nga fshati Bushal, që ishte mik i ngushtë i Mat Dodës, që të verifikonte se çfarë kishin qenë ato pushkë. Pas kësaj, çeta ka qëndruar në pritje gjithë natën për të marrë vesh se ç’kishte ngjarë, sepse ata ishin në pritje të shumë shokëve që do të shkonin të bashkoheshin me çetën, sipas detyrave që kishin marrë nga Qarkori i Shkodrës.

Kur e mësoi çeta lajmin e vrasjes së pesë shokëve?

Të nesërmen, në mëngjezin e 22 gushtit 1944, në vendin ku qëndronte çeta, shkoi djali i Mat Dodës, i cili kishte marrë letrën (që shkruan pesë shokët para vrasjes) nga gjyshja e tij nënë Mrika, së cilës ja kishte dhënë në dorë Drane Jaku, për t’ ja dorzuar Mat Dodës ose të birit të saj Gjon Jakut. Letra ju dorzua në dorë komandantit të çetës, Kozma Stefit, i cili e lexoi atë para të gjithë shokëve që ndodheshin aty, duke njoftuar dhe vrasjen e tyre. Bashkë me atë letër erdhi dhe lajmi tjetër se në Gomsiqe, ishin rrethuar dhe pesë shokë të tjerë partizanë të çetës të cilët i shoqëronte shkodrani Gjon Jak Rasha.

Çfar vendimi mori çeta e drejtuar nga Kozma Stefi, pasi mësoi lajmin e vrasjes së pesë shokëve?

Menjëherë pasi u mësua ajo gjë, komanda e çetës nxorri disa detyra. Detyra e parë ishte që të çohej letra e pesë shokëve në Qarkorin e Shkodrës dhe për këtë u ngarkua partizani Rasim Reshiti (Emini). Së dyti, duhej të sulmohej e të digjej posta e xhandarmërisë së Kalivaçit, me gjithë Pjetër Lleshin dhe duheshin shpëtuar patjetër pesë shokët që ishin të rrethuar në Gomsiqe, të cilët u shpëtuan.

Çfar u bë me pesë trupat e pajetë që ngelën të vrarë në Buzabardh?

Të nesërmen vrasjes së tyre, në mëngjezin e 23 apo 24 gushtit, disa fshatarë që po digjin tjegulla në breg të lumit të Vomës, pasi e kishin parë ngjarjen dhe e dinin se pesë kufomat gjendeshin aty, janë afruar dhe janë kujdesur që ato të mos i hanin egërsirat.

Kur e mësuan familjarët e pesë partizanëve lajmin e vrasjes së tyre dhe a erdhën ata në vendngjarje për t’i marrë trupat e tyre?

Ngjarja e vrasjes së pesë shokëve tanë në Vig, bëri jehonë të madhe në të gjithë Veriun dhe natyrisht atë gjë e mësuan dhe familjet e pesë partizanëve komunistë që mbetën të vrarë atje. Dy tre ditë pas ngjarjes, i pari nga familjarët e tyre, ka ardhur në vendngjarje, daja i Hydajet Lezhës, i cili e tërhoqi trupin e nipit të tij dhe e varrosi në Lezhë.

Po pas tij, kush ka ardhur?

Pas tij kanë ardhur disa djem të familjes dhe fisit të Ndoc Ded Markut nga Miloti, të gjithë të armatosur. Këta, në baz të Kanunit, në fillim i çuan fjalë Komandës së Postës së Xhandarmërisë së Kalivaçit dhe Pjetër Lleshit, duke i thënë që: të mos ngacmohemi gjatë tërheqjes së trupit të vëllait tonë, Ndoc Dedës. Pas kësaj ata e muarën trupin e tij dhe e çuan në Milot, pa pasur probleme me njerzit e Pjetër Lleshit.

Po me trupat e Naim Gjylbegut, Ndoc Mazit dhe Ahmet Haxhisë, çfarë u bë. A erdhi njeri për t’ i marrë kufomat e tyre?

Trupat e atyre të treve, ngelën aty të varrosur provizorisht, nën kujdesin e Dan Velisë dhe të familjes Dodani. Familja jonë i mori nën kujdesje varret e tyre, për arsye se xhaxhai i Naim Gjylbegut nga Shkodra, Rakip Gjylbegu, së bashku me Tefik Bekteshin, (dhëndrin e Naim Gjylbegut) shkuan në Vaun e Dejës tek Fadil Hoxha, me pseudonimin “Sedita” dhe i kërkuan atij që t’i ndihmonte, duke u gjetur njerëz që të kujdeseshin për varrin e nippit, Naimit e të dy shokëve të tij.

A i ndihmoi Fadil Hoxha?

Fadil Hoxha së bashku me Rakipin e Tefik Bekteshin, shkuan në Mjedë tek Dan Velija që ishte Kryetar i Këshillit Nacionalçlirimtar (ilegal) dhe i kërkuan atij ndihmë e mbështetje. Ai i rekomandoi tek familja Dodani, meqënse unë isha partizan i çetës “Pukë-Mirditë”. Pas kësaj, Dan Velija me Rakipin e Tefikun, erdhën në shtëpinë e babait tim, Lleshit, në Naraç dhe i kërkuan ndihmë e mbështetje për kujdesjen e tre varreve që ishin në Buzabardh. Babai im, Lleshi u’a mori përsipër kërkesën e tyre, pas vendimit të vllazërisë, ku vendimin e aporovoi Cub Dodani, babai i Ndrecës. Pas këtij vendimi, babai im, Lleshi, me kushërinjtë, Ndrecën e Cub Dodanin, së bashku me Rakip Gjylbegun e Tefik Bekteshin, shkuan në vendin e vrasjes në Buzabardh dhe aty siguruan e bënë mbulimin me dhe të tre kufomave, duke i siguruar provizorisht ata, me mendimin për t’i marrë sa më shpejt.

Përse kërkuan mbështetjen e familjes Dodani, familja e Naim Gjylbegut?

Rakip Gjylbegu, xhaxhai i Naimit, kërkoi mbështetjen e familjes sonë, Dodani, edhe për arsyen se xhaxhai jonë, Gjon Dodani, ishte komandant i forcave xhandare në Krepin e Naraç-Mnelës dhe duhej shfrytëzuar emri e autoriteti i tij, si mik i bajraqeve të Mirditës, e veçanërisht i Gjonmarkajve. Ata që kërkuan mbështetjen tonë e dinin karakterin e Gjon Dodanit, se ai nuk do e shkelte kurrë Kanunin që të priste në besë shtëpinë e vet (Lleshin e Ndrecën).

Me që përmendët Gjonmarkajt, a kanë lidhje ata me vrasjen e “5 Heronjëve të Vigut”, siç është thënë vazhdimisht gjatë viteve të regjimit komunist?

Unë nuk di hollësira që Gjonmarkajt të ishin urdhërdhënës në vrasjen e “5 Heronjve të Vigut”, por duke qenë se Pjetër Lleshi dhe mercenarët e tij, zbatonin urdhërat e Gjonmarkajve e krerëve të tjerë të Mirditës dhe duke ditur se ata ishin antikomunist të tërbuar, e gjithashtu të lidhur me okupatorin nazist gjerman, kjo gjë u është atribuar atyre. Por unë nuk e di që Gjonmarkajt të jenë implikuar ne vrasjen e “5 Heronjve të Vigut”, them se atë gjë e ka bërë Pjetër Lleshi në kokë të vet, ndoshta pa i pyetur fare Gjonmarkajt.

Sipas kanunit, kujt i ngeli “në derë” gjaku i “5 Heronjve të Vigut” dhe a u muar hak për vrasjen e tyre?

 Për të gjetur fajtorët kryesorë të vrasjes së pesë shokëve tanë që ranë dëshmorë në Vig, u caktuan disa shokë, midis të cilëve edhe unë si vendali që isha. Gjaku i atyre të pestëve, së pari i ngeli Pjetër Lleshit të Gjegjanit dhe personit që i kallxoi ata, i cili ishte Dodë Marka Gjoka. Këtë gjë unë e kam mësuar nga Kol Preng Lleshi, që ishte kushëri i dajës sim, Ndrec Marka Gjoka, si dhe prej Preng Marka Leprit, të Kaftallit e Preng Marka Gjinit, dëshmitë e të cilëve, bënin fajtor për vrasjen e pesë shokëve tanë, Dod Marka Gjokën e Rrasit.

Po familja që i kishte marrë ata në besë, pra aty ku ata kishin fjetur natën e fundit, a kërkoi të merrte hak për vrasjen e tyre?

Që nga dita e vrasjes së tyre, më 22 gusht 1944 e në vazhdim, duke e ditur se ata të pestë ishin në besën e familjes së Preng Gjin Lleshit, mbahet mënd se Prenga me të vëllanë, sipas Kanunit, kërkonte patjetër që të merrte hakun e tyre. Këtë gjë e kërkonin dhe partizanët e çetës “Pukë-Mirditë” që qarkullonin dendur në atë krahinë. Disa ditë më vonë, Prend Llesh Çuni, vrau një nga mercenarët e Pjetër Lleshit, në shenjë hakmarrje për vrasjen e pesë miqëve të tij. Në hakmarrje të tyre, mori pjesë dhe Pashko Curri, Pashko Shyti, Pal Gjoni etj., të cilët organizuan luftën tek ura e Brahnjezës në Fush-Arrëz, për eleminimin e atyre që kishin gisht në vrasjen e “5 Heronjve”. Po kështu sipas disa dëshmive, për vrasjen e pesë shokëve tanë, u akuzuan dhe një nga familjet më në zë të Kalivaçit, ajo e Përgjonëve. Për këtë, kur erdhën Brigada e VII-të partizane e komanduara nga Musa Daci, i dogji shtëpinë Përgjonëve. Mirpo implikimi i Përgjonëve në atë vrasje nuk ishte i vërtetë. Ata ishin viktimë e intrigave të ndryshme dhe ajo gjë u korigjua më vonë me ndërhyrjen time tek Musa Daci, i cili lëshoi deklaratë me shkrim se Përgjonët nuk kishin gisht në atë ngjarje.

Vetëm me vrasjen e atij mercenarit të Pjetër Lleshit, ngeli hakmarrja ndaj “5 heronjve të Vigut”, apo ajo vazhdoi më tej?

 Vrasja e atij mercenarit prej Prend Llesh Çunit ishte vetëm fillimi. Nga tetori ose nëntori i vitit 1948, një mirditor nga Kaçinari i quajtur Z.D. me pseudonimin “Gjimnazi”, së bashku dhe nën drejtimin e Bardhok Bibës (“Hero i Popullit”) dhe Sulejman Manokut, Shefit të Sigurimit të Mirditës, zbuloi dhe organizoi rrethimin e forcave të rezistencës antikomuniste të Pjetër Lleshit të Gjegjanit e Ludovig Saraçit, ish-qarkomandantit të Xhandarmërisë së Shkodrës. Në atë rrethim, përveç kapobandës Pjetër Lleshi që në filmin “Operacioni Zjarri” unë si autor i skenarit, e kam quajtur “Pjetër Mustakuqi”, ngelën të vrarë dhe 20 pjestarë të tjerë të bandës së tij, duke u kurorëzuar kështu një hakmarrje e shumëfishtë për “5 Heronjtë e Vigut”.

Po trupat e Ndoc Mazit, Naim Gjylbegut e Ahmet Haxhisë, kur u morën nga Buzabardhi për t’i çuar në Shkodër?

Disa muaj pas çlirimit, në prillin e vitit 1945, një grup familjarësh ku ishin dhe tre nënat e dëshmorëve, së bashku dhe me disa shokë bashkluftëtarë të tyre, shkuan në Vig të Mirditës dhe i çvarrosën ata, për t’ i dërguar në Shkodër në Varrezat e Dëshmorëve. Si në Vig ashtu dhe në Shkodër, ku u organizua një ceremoni e madhe për varrimin e tyre, fjalët e rastit i mbajti shoku Nuri Llazani, i deleguari i Qarkorit Komunist të Shkodrës në çetën “Pukë-Mirditë” dhe njëkohësisht shoku e bashkëluftëtari i tyre më i ngushtë. Nëse më lejohet në fund të kësaj interviste, në kujtim të atyre “5 Heronjve” që nuk u dorzuan edhe duke e ditur që do vriteshin, desha që të kujtoj katër vargje, që janë kënduar gjithmonë me çifteli, ku thuhet: “Mbi majë kresë këndoi bilbili / mbi pesë varre mbetur në lëndinë / Lulëzoi kreshtës trëndafili / të pestë vulosën pavdeksinë”./Memorie.al