Deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferaj, reagon sërish për bazat ushtarake tokësore, detare dhe ajrore në vend, teksa publikon edhe njëherë, në “Facebook”, pyetjet që i ka drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, gjatë interpelancës në Kuvend.

Deputeti Xhaferaj shkruan se gjatë interpelancës “Z. Peleshi, i parashtrova fakte që vërtetojnë se Ministria e Mbrojtjes është e përfshire në korrupsion dhe pergjigjia ishte se kishte vetëm pak kohë Ministër? Korrupsioni në strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes përbën kërcënim për sigurinë kombëtare dhe cënon rëndë aleancat tona strategjike”.

Më tej, në postimin e tij, shoqëruar dhe me disa pamje të bazave ushtarake, Xhafarej thekson se “Ne si opozitë kërkojmë jo vetëm përgjegjësi për ceshtjet e shtruara gjatë kësaj interpelance përfshirë korrupsionin, shkeljen e ligjit dhe mungesën e transparencës. Gjithashtu, kërkojmë me ngulm që të rishikohet Strategjia e Sigurisë Kombëtare dhe për rrjedhojë edhe Strategjia e Mbrojtjes dhe planet e zhvillimit afatgjatë të forcave tokësore, detare dhe ajrore. Më tej duhet të hartohen edhe Planet e Përhapjes përkatëse, me siperfaqe dhe koordinata, si e vetmja mundësi për ti prerë rrugën aferave korruptive”.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Postimi i plotë:

Sot zhvillova interpelancen e dytë në Kuvend ku në kuadër të detyrës si nënkryetar i Komisionit të Sigurisë kerkova përgjigje dhe sqarime nga Ministri i Mbrojtjes Peleshi mbi mungesën e transparencës sa i përket aseteve të forcave shqiptare dhe keqpërdorimit të tyre. Prej një kohe të gjatë në media janë publikuar artikuj ku shprehet shqetësimi për dhënien pa kriter të territorit të bazave ushtarake në kundërshtim me interesat e vendit dhe të aleateve. Teksa Ministri u shpreh se Rilindja po përpiqet të zhvillojë pronat, në fakt, nuk mund të konsiderohen zhvillim afera që bien ndesh me ligji, transparencën, interesin e qytetarëve dhe të aleatëve.
Nisur nga më sipër kërkova shpjegime nga Ministri i Mbrojtjes për 4 prona strategjike për Shqipërinë dhe për NATO-n, por asnjë shpjegim nuk mora. Pyetjet pa pergjigje ishin si më poshtë:
1) Cili është statusi i pronës nr. 1018, ish-venddislokimi i Shtabit të Vjetër të Bazës Ajrore Kuçovë, Berat të dhënë me qera me VKM Nr. 562, datë 29.07.2016 në përputhje me listën e pronave në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes të miratuar nga Komandanti i Përgjithshëm në vitin 2014?
2) A vijon të jetë në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes të miratuar nga Komandanti i Përgjithshëm në vitin 2014 prona nr. 1311 “Ish Baza Ndihmuese”, Shëngjin Lezhë?
3) A është ndjekur procedura e parashikuar nga Ligji nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” për dhënien me qera të sipërfaqes së Bazës Detare Sarandë, pronë në listën e pronave në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes të miratuar nga Komandanti i Përgjithshëm i FA në vitin 2014 (Prona nr. 696 “Baza Ndihmuese”, Limion, Sarandë me sipërfaqe 39446 m2)?
4) A i keni parë këto fakte që po paraqes edhe më parë mbi shkeljet ligjore (Ligji nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA”) në administrimin e pronave në listën e pronave në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes të miratuar nga Komandanti i Përgjithshëm dhe si i keni mbajtur përgjegjës personat që kanë shkelur ligjin?
Konkretisht, ne rastin e Kucoves,
Në vitin 2013, autoritet ushtarake të NATO-s i kanë propozuar vendimarrësve politik që Baza e Kucovës të futej tek Bazat Taktike të NATO-s. Në vitin 2015 ekspertët e NATO-s kanë ardhur për vlerësim dhe në Gusht të 2018 u miratua investimi i NATO-s. Por, interesi strategjik i aleancës ra ndesh me interesat personale të Rilindjes.
Prona nr. 1018 “ish-venddisllokimi i Bazës Ajrore Kuçovë, Berat, miratuar në PVP në vitin 2014, një sipërfaqe prej 42 009 meter katror u dha me qera 1 EURO për 20 vjet. Ndërsa një sipërfaqe prej 6285,4 meter katror (me 570,25 metër katror nën objekt) është shitur e gjitha me vlerën 6 458 373 leke. Shitja u bë më 09/10/2015. Pra, ndërkohë që NATO procedonte me vlerësimin e Bazes Ajrore Kucove, në vitet 2015 dhe 2016, pjesë të bazës jepen u dhanë me qera 1 Euro/m2 apo u shiten me 8 Euro/m2 pa asnjë investim strategjik apo impakt në zhvillim ekonomik të zonës.
Lidhur me Bazën Ndihmuese Shëngjin,
Nga Nëntori 2020 deri në Mars 2021, në brendësi të bazes është lejuar me urdhër verbal ndërtimi i një godine 4-katëshe duke i legjitimuar pronën një privati që kishte marrë hipotekë dhe miratuar plan zhvillimi. Pra, persona në hierarkinë e Forcës Detare dhe Forcave te Armatosura kanë lejuar, jashtë kompetencave të tyre dhe në shkelje të ligjit, njohjen e pronës dhe ndërtimin e objektit, ndërsa prona vijonte të ishte brenda Planit te Vendosjes dhe Perhapjes dhe sistemit të ruajtjes dhe sigurisë. Pse nuk ka një hetim nga strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes se kush e lejoi ndërtimin në një bazë detare për katër muaj rresht?
Afera ne Bazën Detare Shëngjin është jo vetem një histori korrupsioni edhe në rastin më të mirë, mungesë vullneti nga ju si Ministër për të çuar para përgjegjësisë ata që lejuan ndërtimin në shkelje të ligjit.
Lidhur me Bazën Ndihmuese Sarandë,
Në 1 Korrik 2020 me VKM nr 514, u dha për investim strategjik me çmimin simbolik 1 Euro një sipërfaqe prej 26,5 ha, duke përfshirë edhe Bazën Detare të Sarandës prej 4 ha, pronë në PVP të FA. Kjo bazë ekziston aty nga viti 1974 dhe është në PVP me vendimin e fundit të Presidentit të vitit 2014. Dhënia me qera e bazës, duke cënuar ndjeshëm kapacitetet operacionale të Forcës Detare në Kanalin e Korfuzit dhe Detin Jon është bërë në shkelje të ligjit për pushtetet dhe autoritetet. Kjo sepse nuk ka as studim nga Shtabi i Përgjithshëm, dhe as miratim nga Presidenti i Republikës.
Prej 2-vitesh Baza nuk i dorëzohet investitorit strategjik, pasi ushtarakët nuk pranojnë të inkriminohen (megjithëse VKM ka dalë më 1 Korrik 2020 dhe kontrata është lidhur më 16 Korrik 2020). 4 ha të bazës së Sarandës janë dhënë në kundërshtim me ligjin dhe pa miratim të Presidentit. Kjo ka ndodhur sepse ju nuk jeni aty as për ti shërbyer qytetarëve as për të përmbushur detyrat e institucionit që drejtoni dhe interesave strategjike të vendit dhe aleatëve.
Sot Shqipëria, sipas Transparencës Ndërkombëtare është jo vetëm vendi më i korruptuar në Ballkan, por edhe në NATO. Kjo ka ndodhur sepse ne nuk kemi një qeveri e cila ka për qëllim zhvillimin apo forcimin e aleancave, por pasurimin e elitave politike dhe ekonomike.
Problemi më madhor që prek forcat e armatosura sot është agresiviteti i drejtuesve rilindas për të garantuar korrupsion. Kush nuk firmos për aferat korruptive margjinalizohet ose largohet nga detyra dhe kush firmos rritet në detyrë.
Z. Peleshi, i parashtrova fakte që vërtetojnë se Ministria e Mbrojtjes është e përfshire në korrupsion dhe pergjigjia ishte se kishte vetëm pak kohë Ministër? Korrupsioni në strukturat e sigurisë dhe mbrojtjes përbën kërcënim për sigurinë kombëtare dhe cënon rëndë aleancat tona strategjike.
Ne si opozitë kërkojmë jo vetëm përgjegjësi për ceshtjet e shtruara gjatë kësaj interpelance përfshirë korrupsionin, shkeljen e ligjit dhe mungesën e transparencës. Gjithashtu, kërkojmë me ngulm që të rishikohet Strategjia e Sigurisë Kombëtare dhe për rrjedhojë edhe Strategjia e Mbrojtjes dhe planet e zhvillimit afatgjatë të forcave tokësore, detare dhe ajrore. Më tej duhet të hartohen edhe Planet e Përhapjes përkatëse, me siperfaqe dhe koordinata, si e vetmja mundësi për ti prerë rrugën aferave korruptive.
Me gjithë korrupsionin e pjesës politike që drejton Forcat e Armatosura dhe presionit që ushtron korrupsioni politik mbi personelin ushtarak, ushtarakët shqiptare përpiqen të zbatojnë ligjin dhe detyrën.
Ka ardhur momenti që jo vetëm ti kthejmë atyre dinjitetin, por edhe ti kthejmë qytetareve informacionin, transparencën dhe pergjegjshmerine që meritojnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb