Ylli i këngës dhe skenës shqiptare, Justina Aliaj, është bërë pjesë e “Festës së Këngës Shqiptare”, i quajtur ndryshe edhe “I have a dream” (Unë kam një ëndërr), dhe që është aktiviteti më i ri muzikor në “News24”, nën drejtimin e artistit Gjergj Leka.

E ftuar në këtë aktivitet për të prezantuar materialin e saj, me të cilin do të përfaqësohet në këtë event, Justina Aliaj ka zbuluar dhe një ndër ëndrrat e saj të mëdha.

Këngëtarja Aliaj është shprehur se do kishte dashur shumë të kishte një kompozitor, që të kompozonte një këngë, e cila do të ishte për të gjitha moshat dhe do të dëgjohej në të gjithë Shqipërinë, si dhe do t’i rezistonte kohës e pozicionit gjeografik.

“Sigurisht që unë e kam një ëndërr, një ndër ëndrrat, e meqë ndodhen në mbretërinë e muzikës një ëndërr e imja është se do të doja një kompozitor që të kompozonte një këngë, e cila të kalonte stafetë në të gjitha moshat, jo në të njëjtin vend, por kënga me fillu këtu, me vazhdu pak më tutje e me shku deri në majë të malit, e më pas me u degëzu në gjithë Shqipërinë. Kjo është një ëndrra ime, që do më pëlqente shumë të bëhej. Kënga t’i rezistonte kohës e pozicionit gjeografik, se njerëzit nuk ndryshojnë, pavarësisht se ne jemi në Shqipëri apo Itali. Ëndrra dhe jeta e artistit, sidomos, ka gjëra që diku frekuencat të bashkohen. Kjo ishte një ëndërr e imja, duke lënë mënjanë teatrin tim, psh”, ka thënë këngëtarja dhe aktorja Aliaj.

Ndërkohë, Aliaj ka zbuluar dhe këngën që ka përzgjedhur për festivalin, i cili është konceptuar si një “Festival Pranvere”, dhe që është pikërisht kënga me titullin “Fabrika e re”.

“Tani do iu prezantoj materialin që kam përgatitur, është nostalgji, është fat dhe një prej ëndrrave të mia, që kur isha e vogël, më 1962. Për herë të parë në jetën artistike të Shqipërisë, Festivali i parë i Muzikës së Lehtë, është zhvilluar në Shkodër, në Shkodrën time. Pas 3-4 muajve që u zhvillua në Shkodër, u formua dhe u zhvillua Festivali i parë në Tiranë i Muzikës së Lehtë, që vazhdon deri më sot, deri para një muaji që patëm Festivalin e fundit të Muzikës së Lehtë. Tani më 1962 ka qenë shtator apo tetor kur është zhvilluar ky festival. Unë kujtoj një këngë, që kryetari i këtij evenimenti ka qenë Preng Jakova.

Kënga më ka mbetur në mend, madje edhe vetë këngëtari çuditet që unë e mbaj meng, por fëmija mban mend shumë. Kënga titullohet “Fabrika e re”, ka qenë muzikë e Kol Gjinajt, me tekstin e Sinan Pekës, duhet më thënë dy zotni të Shkodrës. Kënga ndoshta nuk ekziston kërkund, por në mendjen e shpirtin tim po. Është një këngë shumë e bukur, madje çuditem si ka mundësi që në atë vit është kënduar një këngë e tillë, me një ritmikë të tillë. Fikeshin dritat 3-4 herë për atë këngë, dhe Gjosho Vasia ka dalë e ka thënë “dëgjoni këtu, në festival kënga nuk përsëritet”. Është në nderim tim me thënë këngëtarin që e ka kënduar, që është gjithmonë në një shpirt fantastik, quhet Enrrik Çefa, e përshëndes shumë. Jam takua, kam marrë kontakt me të para dy ditësh në telefon, dhe me të vërtetë me ka çmallur”, ka shtuar këngëtarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb