TIRANË- The Telegraph ka sjellë tetë teoritë që u munduan t’i japin shpjegim disa nga ngjarjeve më të rëndësishme të vitit, që për shumë njerëz mbeten ende një mister.
Ka një shprehje tepër të veçantë në shkencat kompjuterike që thotë: “Mos e shihni me sy të keq diçka që shpjegohet përmes budallallëkut apo marrëzisë”.
Por në botën e politikës globale, kjo është vetëm një mënyrë e lehtë për t’ju zënë sytë njerëzve.
Ekzistojnë tetë ngjarje të mëdha që kanë ndodhur këtë vit, për të cilat ka pasur keqkuptime të shumta, aq sa janë krijuar disa teori të cilat nuk kanë kuptim. Ja cilat janë ato:

1-Qeveria e SHBA-së e mbuloi jugun me borë plastike
Nëse rikthehemi në fillim të këtij viti, do të kujtojmë se SHBA-ja u mbyt nga një “vorbull polar”, që bëri të binin reshje të mëdha në të, madje edhe zonat e ngrohta si Atlanta, Gjeorgjia. Por jo gjithkush e pa këtë si një fenomen natyror. Një numër i përdoruesve të YouTube besonin se qeveria federale është duke përdorur teknika “gjeo-inxhinierike” për të mbuluar jugun me dëborë të rreme.

2-David Cameron fshehu një zbulim të madh nafte dhe manipuloi referendumin
Më 22 korrik, David Cameron dhe sekretari i Shtetit për Skocinë, Alistair Carmichael, bënë një vizitë në Shetlands. Asnjë paralajmërim nuk ishte bërë paraprakisht për udhëtimin, dhe vetëm një pjesë e vogël e gazetarëve ishin me të. Vetëm pak ditë më parë, 75 kilometra në perëndim të ishujve, ishin zbuluar rezervat më të mëdha të naftës. Punëtorët u dërguan menjëherë në shtëpi, me pagë të plotë dhe, atyre iu tha që të mos kthehen deri pas referendumit të pavarësisë. Menjëherë lindën teoritë se po fshihej një “gjigant nafte” që do të shpërthente ekonominë e vendit, po jo vetëm kaq, u rritën dyshimet për manipulimin e referendumit.

3-Anija kozmike e “Virgin Galactic” u sabotua nga NASA
Rrëzimi i anijes hapësinore në Kaliforni gjatë një udhëtimi prove, ku një nga pilotët humbi jetën dhe tjetri mbeti i plagosur rëndë, i është atribuuar NASA-s. Anija kozmike, e ideuar nga Richard Branson për të çuar turistët e pasur në hapësirë, u përplas gjatë një fluturimi prove. Por sipas teorive, NASA ka qenë e zhveshur nga financimi administratës liberale dhe mbështetja e tyre, dhe me rritjen e konkurrimit në hapësirë, mendohej se ajo ka sabotuar.

4-Kometa që u kap nga anija Rosetta ishte një anije e jashtëtokësorëve
Për 3 ditë në nëntor bota mbajti frymën teksa anija Rosetta arriti pranë kometës 67P, dhe humbi gjurmët në të. Por menjëherë pas kësaj u përfol se 67P nuk ishte një kometë, por një anije kozmike e jashtëtokësorëve.

5-Ebola është një bio-armë që Obama do ta përdorë si justifikim për ligjin ushtarak
Jo shumë kohë pasi shpërtheu Ebola, një artikull i Daily Observer të Liberisë pohoi se virusi ishte një armë e projektuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara për të shpopulluar planetin. Louis Farrakhan, kreu i Kombit të Islamit, tha se virusi kishte qenë projektuar për të vrarë njerëzit me ngjyrë specifikisht. Dyshimet shkuan deri të Partia Republikane, ku Steve Stockman, një kongresist nga Teksasi, spekuloi se presidenti Barack Obama po e përdorte sëmundjen në mënyrë që ai të mund të përdorë “fuqitë emergjente për të marrë përsipër kontrollin e ekonomisë”. Një transmetues në radio, Rick Wiles, kishte frikë se presidenti do ta përdorë Ebolan që të “mbledhë patriotë” dhe të ngrejë “kampet e ri-edukimit”.

6-Avioni MH-17 dhe MH370 janë i njëjti
Rrëzimi i avionit të Malaysia Airlines MH-17 prodhoi një mori teorish konspirative. Ndërsa fajësohej gjerësisht Rusia, kishin nga ata që filluan të dyshonin se i dyshuari kryesor ishte vetë SHBA-ja. Të tjerët u përqendruan në një ngjashmëri mes MH370 dhe aeroplanit zyrtar presidencial të Vladimir Putin (të dy janë të bardhë me vija të kuqe dhe blu). Teoria ishte se SHBA apo qeveria e Ukrainës ishin përpjekur të vrisnin Putinin. Por teoria më krijuese ishte ajo e të njëjtit aeroplan. Njerëzit mendonin se aeroplani që ra në Ukrainë mund të ishte MH-370, që kishte humbur mbi oqeanin Indian në muajin mars.

7-ISIS është një krijim i përbashkët i Izraelit dhe CIA-s, dhe lideri i saj është një agjent i fshehtë hebre
Mos u çudisni, e lexuat si duhet: udhëheqësi i ISIS-it, Abu Bakr al-Baghdadi, nuk është një mysliman, por një aktor hebre me emrin Elliot Shimon, i trajnuar nga Mossad dhe CIA. Kjo ishte teoria më qesharake që u përfol.

8-Rihanna, Jay Z, Kanye West dhe Beyonce janë të gjithë anëtarë të Iluminatit
Iluminati në të vërtetë ishte një shoqëri sekrete e themeluar në 1776 nga një administrator universiteti i frustruar me kontrollin e Kishës mbi të mësuarit. Simboli i Illuminatit është syri në piramidën. Të gjithë këngëtarët e sipërpërmendur e kanë përdorur këtë simbol. Beyonce ka bërë vazhdimisht një gjest të njëjtë me simbolin gjatë koncerteve, dhe njerëzit mendojnë se ata i përkasin kësaj shoqërie sekrete.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb