TIRANË- Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar një draft për rritjen e sigurisë publike, i cili pritet ti kalojë kuvendit për shqyrtim, ndërkohë që aktualisht projektligji është në duart e institucioneve që preken.

Miratimi i këtij ligji do të detyrojë bizneset, që rezultojnë me të ardhura mbi 10 milion lekë në vit të vendosin kamera sigurie. Po ashtu kamera sigurie do të kenë dhe taksitë, autobusët, lokalet që mbartin më shumë se 50 klientë, institucionet publike, si kopshtet, apo shkollat. Nuk përjashtohet mundësia që kamera të ketë në çdo pallat dhe çdo park lojërash.

Në draft, neni 8 thekson edhe faktin se kamerat e sigurisë nëpër pallate do të jenë në “kurriz” të administratorëve të pallatit të cilët në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do japin të gjithë informacionin e vlefshëm për të kuptuar rrezikshmërinë që ka zona dhe në bazë të rrezikshmërisë do të vendoset edhe kamera.

Të gjitha filmimet e ruajtura nga kamerat e sigurisë me ligj janë të detyruara t’i jepen policisë sa herë që ajo do t’i kërkojë, por në përputhje edhe me ligjin për të dhënat personale.

Nga miratimi i ligjit do të kenë të gjithë gjashtë muaj kohë për të vendosur kamerat e sigurisë, më tej do të nisin dhe gjobat përkatëse të parashikuara në draft. Vendosja e kamerave të sigurisë në objekte të caktuara vlerësohet nga Policia dhe komisariati përkatës dhe është pikërisht ai komisariat që lëshon dhe vërtetimin përkatës.

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/10/P.LIGJI-MASAT-PER-SIGURINE-PUBLIKE.doc” viewer=”microsoft”]

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb