TIRANE – Masazhi tek fëmija realizon një lidhje skin-to-skin (lëkurë më lëkurë) që ndihmon si prindin dhe fëmijën të kuptojnë më mirë njëri tjetrin, nëpërmjet gjuhës së trupit, pa thënë asnjë fjalë.

Përse nevojitet masazhi
Përveç faktit se është mjaft këndshëm për ju të prekni dhe përkëdhelni të voglin tuaj, ky masazh e ndihmon atë të rritet dhe zhvillohet më mirë. Prekja, përkëdhelja e rrit fëmijën dhe e dini përse????? Prekja stimulon substancat që nxisin rritjen dhe shton enzimat që bëjnë qelizat e organeve jetësore më të ndjeshme ndaj këtyre substancave. Masazhi është i mirë jo vetëm për trupin , por është mjaft i dobishëm edhe për mendjen. Studimet kanë treguar se të porsalindurit që i nënshtrohen masazhit kanë zhvillim neurologjik më të mirë. Nëpërmjet masazhit shtohet prodhimi i mielinës duke lehtësuar kështu transmetimin e impulsive nervore.

Masazhi përmirëson tretjen
Bebet të cilat masazhohen ose përkëdhelen më shumë kanë një shtim të sekretimit të hormoneve të tretjes. Duket se masazhi e bën sistemin tretës më efikas dhe kjo është një tjetër arsye se pse këto bebe rriten më mirë. Bebet me kolika të shpeshta abdominale fillojnë të ndjehen më mirë pasi fillojnë edhe masazhohen në mënyrë të rregullt.

Masazhi përmirëson sjelljen
Këto bebe flenë më mirë natën, janë më pak të axhituar gjatë ditës, dhe krijojnë marrëdhënie më të mira me personat që kujdesen për ta. Masazhimi e qetëson mjaft fëmijën, dhe është një mënyrë e mrekullueshme për ta vënë në gjumë në darkë.

Masazhi ndihmon prindërit
Një masazh gjatë ditës ju ndihmon të krijoni kontakt me gjithë trupin e bebes, të lexoni më mirë gjuhën e trupit të tij, dhe të kuptoni sinjalet e tij. Masazhi do të ndihmonte shumë në rikrijim e lidhjes midis prindit dhe fëmijës kur ata kanë qenë të shkëputur për arsye shëndetësore, duke ju dhënë mundësinë të rilidhen.
Mjaft nëna të punësuara e përdorin masazhin e mbrëmjes, për të rivendosur lidhjen e shkëputur me fëmijët e tyre gjatë ditës, duke i bërë fëmijët e tyre të ndjehen të rrethuar nga dashuria dhe duke ndihmuar të flenë më mirë. Por edhe për to këto prekje dhe masazh është l shkëputje nga lodhja e punës dhe rifutje në jetën e familjes. Ndërsa për baballarët të cilët janë fillestarë në kujdesin për fëmijën është një ndihmesë e madhe. Është gjithashtu e rëndësishme për fëmijën që të shijojë si prekjen e nënës dhe të babait.

Fëmija rritet nga përkëdheljet dhe prekjet e të dyve
Masazhi është një prekje / komunikim që e realizon me fëmijën tuaj dhe jo tek fëmija juaj. Ai është një ndërveprim dhe jo një punë. Ju duhet të kuptoni se cila prekje i pëlqen fëmijës suaj, dhe si në një kërcim përshtatuni me gjuhën e trupit të tij.

Bëhuni gati
Zgjidhni një dhomë të ngrohtë dhe të qetë, më një sipërfaqe të sheshtë të përshtatshme (dysheme, tavolina që përdorni për të ndërruar beben, shtrati juaj). Dhoma duhet të jetë e ndriçuar mjaftueshëm, por jo me dritë të fortë në mënyrë që të mos e bezdisë beben. Këshillohet që në sfond të vendoset një muzikë e përshtatshme për fëmijë. Masazhi duhet aplikuar kur fëmija është i qetë, jo i uritur, jo i përgjumur dhe asnjëherë kur është duke qarë. Kështu masazhi mund të aplikohet gjatë mëngjesit ,apo edhe përpara se fëmija të flejë. Rekomandohet që masazhi të aplikohet në të njëjtën orë çdo ditë.
Zgjidhni vajin e përshtatshëm Rekomandohen vajra frutash ose vegjetale, të pasuruar me Vit.E. Përpara përdorimit aplikojeni në një pjesë të vogël të lëkurës për tu siguruar që nuk jep alergji.

Uluni në mënyrë të përshtatshme dhe poziciononi beben
Vendosuni në një pozicion të rehatshëm së bashku me beben.
Nëse bebja nuk është i qetë, përpiquni ta qetësoni duke e përkëdhelur, folur, duke vendosur kontakt sy me sy, dhe duke e filluar masazhin me prekje qetësuese.

FILLONI! Mund të filloni me këmbët , të cilat mund të manipulohen më lehtë dhe prekjen e të cilave bebet e tolerojnë më mirë. Rrëshkiteni dorën gjatë gjithë gjatësisë së këmbës, lëvizeni në artikulacion dhe më pas masazhoni shputën dhe gishtat.
Për të masazhuar barkun, bëni lëvizje rrethore, duke shkuar drejt brinjëve dhe duke zbritur poshtë. Më pas bëni lëvizje rrethore me të dyja duart në drejtimin e akrepave të orës, dhe për të përfunduar bëni shtypje të lehta mbi abdomen me mollëzat e gishtave.
Për gjoksin përdorni të dyja duart duke i shtrirë ato nga qendra drejt anëve me lëvizje që ngjasojnë me ato të shtrirjes së fletëve të librit.

Krahët dhe duart masazhohen njëlloj si edhe këmbët.
Për kokën dhe fytyrën prekjet janë më të veçanta, ndërsa e fikson me një dorë me gishtat e dorës tjetër bën lëvizje rrethore në mollëza dhe shtypëse mbi ballë dhe vetullat. Në fund masazhohet skalpi(lëkura e kokës).
Dhe në fund shpina, e preferuara e të gjithëve. Me anë të gishtave bëni rrathë të vegjël në të gjithë shpinën. Më pas me anë të gishtave të mëdhenj bëni lëvizje shtypëse dhe rrëshkitëse, përgjatë shpinës.

Të realizosh një masazh është si të lexosh një poemë të gjatë. Por mos harroni se nuk ka rëndësi të realizoni nga ana teknike një masazh perfekt. Aspekti më i rëndësishëm i këtij procesi është vendosja dhe forcimi i komunikimit mes jush dhe fëmijës suaj.
(er.nu/bebaime/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: