DURRES- Denis Shtraza, person me precedentë penalë, u ekstradua Gjermania në vitin 2009, pasi akuzohej për dy plagosje në Durrës. Mësohet se në vitin 2008, Prokuroria e Durrësit kishte regjistruar dy procedime penale ndaj tij, ndërsa Gjykata kishte dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale të “Plagosjes së rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”, “Vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar erdhi pas dyshimeve të prokurorisë se ai ishte autor për plagosjen me armë zjarri në bashkëpunim të shtetasit Llazar Zoto, më 15 maj 2008 në qytetin e Durrësit.

Në verën e po atij viti, më 20 gusht, në disko “Kolombo” në plazhin e Durrësit, Shtraza u akuzua se ka plagosur Hektor Kollçakun. Pas këtyre ngjarjeve, ai kishte mundur t’i shpëtonte drejtësisë deri në prill të vitit 2009 kur u kap dhe ekstradua nga Interpoli. Ndërsa, tri vite më parë Denis Shtraza mbeti i plagosur rëndë pas një atentati me armë që ndodhi në Durrës, ngjarje që në atë kohë u cilësua si hakmarrje për larje hesapesh. Më 4 shkurt të vitit 2013, Shtraza ka qenë i ulur në një lloto, në lagjen nr.1 të qytetit bregdetar, së bashku me shokun e tij Ervis Tafaruçi, kur persona të paidentifikuar kanë qëlluar nga automjeti i tyre në drejtim të tij.

Për pasojë, Shtraza u qëllua me 4 plumba në gjymtyrët e poshtme, ndërkohë që Tafaruçi i shpëtoi këtij atentati. Më 27 maj 2013, Tafaruçi u ekzekutua në zonën e quajtur Mali i Robit, teksa po udhëtonte i vetëm me makinë. Më 11 prill të vitit 2014, katër të rinj nga Durrësi janë arrestuar nga policia, pasi nën efektin e alkoolit kanë dëmtuar një lokal në lagjen nr.1 të qytetit, ndërsa kanë plagosur Miklovan Lazrin dhe pronarin e lokalit, P.B. Burime policore bënë të ditur se u prangosën Asllan Kertusha, 27 vjeç; Denis Shtraza, 30 vjeç; Ilia Shtraza, 38 vjeç dhe Miklovan Lazri, 24 vjeç, të gjithë nga Durrësi.

(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: