Në intervistën e sotme për gazetën MAPO, Agron Gjekmarkaj ka bërë një polemikë me gazetarin Mustafa Nano, i cili është shprehur se Rama e meriton një mandat të tretë.

Gjekmarkaj arsyeton dhe sjell argumentet, pse kjo s’mund dhe s’duhet të ndodhë.

Gjekmarkaj: “Para pak ditësh, dëgjoja mikun tim dhe gazetarin e njohur Mustafa Nano i cili gjykonte me fjalor të padenjë liderin e opozitës dhe i dukej e natyrshme që Rama të merrte një mandat të tretë pas 22 viteve pushtet real, pa ndonjë argument të qenësishëm. Deri këtu në rregull, se është brenda bindjeve të veta. Por si një person për të cilin ushqej stimë, e ftoj të bëjë një hulumtim logjik; Të shohë raportin mes premtimeve dhe realizimeve të kësaj qeverie në të dy fushatat e saj, të ndjekë jetën ekonomike të Edi Ramës, të ministrave, deputetëve, funksionarëve, kryetarëve të Bashkive, të drejtorëve dhe të nxjerrë konkluzionet e veta! Nëse do, le t’i gjykojë edhe intelektualisht e profesionalisht pa harxhuar kohë për ata që u larguan nga dekriminalizimi.

Të gjykojë procesin e integrimit dhe ngecjet në të, produktin e reformave ekonomike e politike, të bëjë listën e tenderave publikë në 8 vite dhe të koncesioneve e të shohë kush i ka marrë dhe si janë realizuar, po kaq raportin me mediat, ligjin e antishpifjes, një televizion i mbyllur për të cilin taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë 110 milion euro, një tjetër nën sekuestrim i rrethuar me policë të armatosur rëndë si në ndonjë vend ku sapo është kryer një grusht shteti, të pyesë ndonjë pensionist, polic, mësues, në i është rritur pensioni apo rroga në këto vite.

Po Republika e kanabisit, trafiku i drogës dhe kërcitja e pushkëve sokaqeve çdo ditë? T’i hedhë një sy listave të INSTAT-it sa shqiptarë e kanë braktisur vendin në këto dy mandate, në fund, një analizë teksti ligjërimit të Edi Ramës, gjuhës në parlament dhe jashtë tij, krahasimin e PS-së së Nanos meqenëse kishte ditëlindjen para pak ditësh dhe Rama e uroi me Rilindjen e sotme, si ka evoluar demokracia e brendshme ku bëhej debat i ndezur e i gjallë te memeclleku aktual, dhe nëse arrin në përfundimin që ky burrë meriton një mandat të tretë, hallall i qoftë Muçit dhe Ramës”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb