GREQI- Ky është rajoni i policisë në lagjen “Ano Patisia” në Athinë, ku humbi jetën në mënyrë të mistershme 28-vjeçari shqiptar Pëllumb Marnikollaj.

I riu nga Lezha ka ndërruar jetë në rrethana ende të pasqaruara zyrtarisht më 3 gusht të këtij viti, pak kohë pasi ishte kërkuar të shkonte për disa sqarime në rajonin e policisë në kryeqytetin grek.

Prej andej, trupi u mbajt në frigorifer në një spital të Athinës e më tej në një varrezë publike, aty ku u gjet nga familja dhe miqtë e viktimës.

Familja e gjeti trupin e Pëllumb Marnikollajt vetëm pas 10 ditë kërkimesh. Nisur nga pamja makabre mbi trup, ku ata dalluan shenja dhune, familjarët iu drejtuan Policisë së Lezhës, duke bërë aty kallëzim penal për vrasjen e njeriut të tyre, në ambientet e Policisë greke.

Ekspertët mjekoligjorë në Tiranë konfirmuan dyshimet e familjes së Pëllumb Marnikollajt, se ndaj tij Policia greke ka ushtruar dhunë makabre. Fillimisht, ata këqyrën me sy të lirë trupin e viktimës 28­ vjeçar, i mbërritur në Shqipëri mbrëmjen e së shtunës. Sipas ekspertëve, shenjat ishin të dukshme, por pas disa orësh nga verifikimi i imtësishëm, mësohet se mjekët shqiptarë pranojnë se mbi të riun shqiptar është ushtruar torturë.

Nuk konfirmohet nëse vdekja Marnikollajt i është shkaktuar nga torturat fizike të ushtruara ndaj tij apo nga arsye të tjera. Nga ana e ekspertëve po punohet për të nxjerrë konkluzionin, i cili do t’i kalojë Prokurorisë së Lezhës, ku është regjistruar çështja penale për këtë ngjarje të rëndë.

Ndërkohë, policia greke pretendon se i riu shqiptar ka humbur jetën, pasi ka rënë nga kati i dytë i godinës ku ndodhet rajoni i policisë, në lagjen “Ano Patisia” në Athinë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb