TIRANE-Rendi i ditës së Kongresit përmban 6 pika. Do të nisë me fjalimin e kryetarit të PS-së dhe do të vazhdojë me miratimin e Statutit dhe zgjedhjen e organeve të reja drejtuese

Partia Socialiste do të mbajë të shtunën Kongresin e saj zgjedhor, ku dhe pritet t’i japë zgjidhje një sërë çështjesh që kanë të bëjnë si me organizimin e saj ashtu edhe me zgjedhjen e strukturave qendrore.

Kështu, dje është bërë i ditur kalendari i Kongresit, i cili mund të ndryshojë vetëm në rast të propozimeve që mund të vijnë nga salla kundrejt mbështetjes së caktuar të firmave të delegatëve.

Në bazë të kalendarit me 6 pika, Kongresin do ta hapë kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, me një fjalim që ai do t’u drejtojë delegatëve dhe gjithë anëtarësisë së partisë.

Burime nga Partia Socialiste kanë bërë të ditur se edhe ky fjalim do të jetë në të njëjtën linjë me atë që Rama mbajti në Asamblenë Kombëtare javën e shkuar dhe ku ai do të synojë të përcjellë sërish mesazhe të uljes së toneve dhe unitetit në parti.

Ajo që mbetet e paqartë në këtë drejtim është ajo se çfarë do të bëjë kryetari i PS-së, Edi Rama për të rikonfirmuar mandatin e tij dhe për të çuar më tej atë që paralajmëroi edhe në Asamble, pra nismën për mbajtjen e një referendumi për këtë çështje.

Gjithsesi, kjo çështje është edhe në varësi të pikës 5 dhe 6 të rendit të ditës së Kongresit, ku parashikohet të miratohet Statuti i ri dhe të bëhen zgjedhjet e organeve drejtuese të PS-së në qendër.

Pra nëse Kongresi do procedojë me ezaurimin e pikave të rendit të ditës, duke i votuar ato njëra pas tjetrës, atëherë me miratimin e Statutit të ri ai hyn menjëherë në fuqi dhe procedura e zgjedhjes së kryetarit të partisë do të bëhet sipas përcaktimeve të reja statutore, të cilat i krijojnë mundësi kryetarit aktual që të qëndrojë në drejtim të partisë, pa qenë e nevojshme të rivotohet.

E vetmja mundësi që ai të shkojë në zgjedhje sipas këtyre ndryshimeve është vetëm nëse kërkohet nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të kongresit, në votimin që zhvillohet në Kongresin vjetor të partisë.

Pra, Statuti i ri e bën të nevojshme që për të gjithë ata që kanë kërkuar votim për zgjedhjen e kryetarit të partisë, të ndërmarrin nismën për të mbledhur 10 për qind të firmave të delegatëve të kongresit, ose afërsisht 160 firma.

Por edhe në rast se kjo ndodh, Statuti i ri ka bërë një kushtëzim tjetër, pasi kjo kërkesë duhet të marrë shumicën e votave të të gjithë delegatëve.

Pra është një mision thuajse i pamundur që të ndodhë.

Gjithsesi, në rast se kjo nuk ndodh, vetë kryesocialisti Edi Rama ka paralajmëruar ndërmarrjen e një nisme për t’u votëbesuar në anëtarësi.

Ndaj gjithmonë nëse kundërshtarët e tij nuk ndërmarrin nismën për të mbledhur format për të kërkuar zgjedhje të kryetarit, nuk përjashtohet që vetë Rama, për t’i prerë rrugën çdo debati të mëtejshëm për këtë çështje, t’i kërkojë Kongresit që të miratojë kërkesën e tij për t’u votëbesuar në anëtarësi, në një referendum.

Ndërkohë që rendi i ditës përmban edhe 3 pika të tjera dhe më konkretisht: Diskutim i raportit mbi ecurinë dhe rezultatet e fushatës së anëtarësimeve e zgjedhjeve në PS, nga Gramoz Ruçi, raporti i Komisionit të Garancive Statutore për veprimtarinë midis dy kongreseve, ndërkohë që një pikë e veçantë u është lënë pyetjeve dhe diskutimeve.

(d.b/Mapo/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: