Në fillim të nëntorit, publiku do të mund të ndjekë një ndër risitë që “News 24” propozon. Tashmë është gjithçka gati për të startuar emisioni i ri, “Kjo javë me Nisida Tufën”. Ky format është një risi edhe për televizionet shqiptare, pasi vjen për herë të parë, në trajtën e një emisioni që do të risjellë dhe njëherë ngjarjet më të spikatura të javës, por duke u thelluar tek ato.

Çdo të shtunë do të mund të shihni lajmet e aktualitetit, politika, kronika, temat sociale, këtë herë të trajtuara ndryshe. Ngjarjet më të bujshme, ato që kanë pasur edhe mediatizimin më të madh, do të sillen edhe nëpërmjet të ftuarve në studio, lidhjeve direkte, por edhe inserteve që të japin idenë e një minifilmi përmbledhës, të zhvillimeve të temës përkatëse.

Gazetarja e mirënjohur Nisida Tufa, pasi ka mbyllur një cikël të suksesshëm të emisionit “Panteon”, sjell në ekranin e “News 24”, “Kjo javë me Nisida Tufën”, si një produksion ndryshe nga sa jemi mësuar më parë. Për t’u përmendur vlen fakti se “Panteon” solli edhe njëherë në skenë disa prej kolosëve më të mëdhenj të artit dhe jo vetëm në Shqipëri. Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Rikard Larja, Dhimitër Anagnosti, Roza Anagnosti, i ndjeri Rrok Mirdita, që prej vitesh i kishin munguar skenës dhe televizioneve, kanë qenë disa nga të ftuarit në “Panteon”, ku kanë rrëfyer më shumë rreth kolegëve, apo edhe artistëve shqiptarë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: