“Qeveritarët ndahen në tri kategori: të parët janë qeveritarët që kanë mend vetë e dinë ta drejtojnë shtetin me zotësinë e tyre dhe këta janë më të mirët. Të dytët janë ata që nuk kanë mend vetë, por përfitojnë nga zotësia e këshilltarëve të tyre dhe këta janë mesatarët. Të tretët janë qeveritarët që nuk janë të zotët as vetë dhe as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, këta janë më të humburit”.

Me këtë thënie të Niccolò Machiavelli­t, gazetari Roland Qafoku i jep udhë librit të tij “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë. Nga Ismail Qemali tek Edi Rama”, botim i shtëpisë botuese “Onufri”, i cili u promovua dje në hollin e Muzeut Historik Kombëtar. Nën “vështrimin” e 33 kryeministrave, fotografitë e të cilëve ishin renditur në një ekspozitë, gazetari prezantoi para të pranishëmve një punë të gjatë 11­vjeçare.

Ishin të pranishëm në këtë promovim, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, një nga 33 protagonistët e librit të Qafokut, Ilir Meta. Po ashtu kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ministra, deputetë të majtë e të djathtë, gazetarë, historianë e personazhe të njohur publikë. Për filozofin Artan Fuga, libri i Qafokut nuk është thjesht një libër historik, por një libër i hapur për analiza psikologjike, sociologjike, gjenealogjike etj. Sipas tij, libri i Qafokut nuk është i politizuar, ai u lë të njëjtën hapësirë të gjithë kryeministrave dhe nuk bën ndër ta të mirë apo të këqij. Fuga e quan një qasje ekzistenciale mënyrën e konceptimit të kësaj vepre, duke qenë se ai merr në analizë individin me meritat dhe dobësitë e gjithsecilit. Për Ylli Rakipin, numri 33 duket si i gjetur nga ana e Qafokut. Duket se ai ka pritur edhe Ramën që të mbushej ky numër, si mosha e Krishtit, i cili deri në atë moshë kreu të gjitha veprat e mira… Botuesi Bujar Hudhri do të shprehej se një libër të tillë as vetë historianët nuk do të kishin arritur ta realizonin kaq mirë, pasi një vepër si kjo kërkon paanësi politike e, sipas tij, historianë të paanshëm politikisht, në Shqipëri nuk ka.

Ndërsa vetë autori i librit thotë se ideja për ta realizuar një vepër të tillë lindi pikërisht nga mungesa e një libri mbi kryeministrat e Shqipërisë. Dhe që prej idesë fillestare kaluan 11 vjet, deri në formësimin e portreteve të 33 kryeministrave në 103 vitet e shtetit shqiptar. E në të vërtetë “Historia e 33 kryeministrave” është një libër që mund të lexohet nga të gjithë. Një botim luksoz, ku faktet historike janë servirur në mënyrë të tillë, që të vijnë në formën e një kurioziteti për lexuesin. Por në këtë libër ka edhe shumë fakte nga jeta personale e gjithsecilit, që lexuesi nuk i ka ditur më parë, që nga gjatësia e shtatit, te gratë, dashnoret, fëmijët e paligjshëm, alkooli, droga… E bën të këndshëm leximin edhe përkujdesi për anën estetike të tij. Një dizajn i këndshëm dhe i veçantë, që e largon nga stereotipat e librave historikë. Nga historitë e 33 kryeministrave, kemi zgjedhur disa syresh që lidhen me të fshehtat e disa prej tyre.

E MEGJITHATË ATA ISHIN DHE JANË NJERËZ
Por kryeministrat shqiptarë ishin njerëz me të mirat dhe veset që kishin si çdokush. Xhaferr Ypi luante bixhoz në atë që e quante kohë të lirë. Trimi i madh, Esad Pasha, tmerrohej kur shikonte se pranë tij kalonte një mi, Ibrahim Biçaku më shumë kujdesej se çfarë disqesh do merrte me vete sesa të nxitonte se mos e kapnin komunistët atë nëntor të vitit 1944. Gjatë qëndrimit në zyrë Fan Noli luante në korno angleze dhe përkthente “Rubairat” e Omar Khajamit, ndërsa vendi ishte në prag të katastrofës. Fatos Nano më shumë mendonte për jetën e natës sesa çfarë do të thoshte të nesërmen në një takim me personalitetet në vizita jashtë Shqipërisë. Çdo verë, Sali Berisha kryeministër thyente rekordin e qëndrimit në ujë gjatë ushtrimit të notit në det. Gjatë takimeve në zyrë dhe në mbledhjet e qeverisë, Edi Rama vazhdon edhe sot të vizatojë në tavolinën e tij të punës. Në një formë apo në një tjetër, zakonet, veset dhe instinktet e tyre ishin dhe janë po aq njerëzore sa të popullit që kanë përfaqësuar dhe përfaqësojnë. Fundja edhe kryeministrat ishin dhe janë njerëz.

KRYEMINISTËR ME GAZETË QEVERIE
Kishte 8 muaj që bota ishte tronditur nga tragjedia e mbytjes së Titanikut, vapori më i madh i ndërtuar ndonjëherë që mbahej mend, përveç numrit të madh të pasagjerëve, edhe për faktin se teksa lundronte në oqean nxirrte një gazetë ditore. Si një publicist i njohur, Ismail Beu duhet të jetë frymëzuar nga ky fakt dhe e ka përligjur më shumë vendimin se kur një anije ka gazetë ditore, një qeveri si ajo e Vlorës të paktën të kishte një gazetë javore. Ismail Qemali është i vetmi nga 33 kryeministrat e Shqipërisë që gjatë ushtrimit të detyrës disponoi një gazetë të qeverisë. “Përlindja e Shqipnisë” doli me 50 numra dhe mund ta quajmë sot çfarë të duam, por më e rëndësishmja, ajo mbetet një dokument unikal i Qeverisë së Vlorës. Po si arriti një kryeministër në ato kushte të kishte një gazetë që kërkonte punë po se po, por edhe financa, njerëz dhe teknologji. E kishte zgjidhur mirë kryeministri i parë. Ish­diplomati dhe qeveritari i Perandorisë Osmane, ishte mjeshtër në kësi punësh. Nëpërmjet një shkrese i kërkoi shtypshkronjës “St Nerbetrus” në Francë që ta ndihmonte për të instaluar në Shqipëri një pajisje të saj për botimin e librave dhe gazetave. Dhe kërkesa e çuditshme e kryeministrit të çuditshëm të një shteti të çuditshëm, u mor parasysh. Një nga punët më të mira të qeverisë Vlora ishin shkresat, librat dhe gazetat.

ISMAIL QEMALI, KRYEMINISTRI I INTERVISTAVE
Teksa japin intervista për gazetarët e huaj, kryeministrat e sotëm duken diletantë përpara Ismail Qemal Vlorës. Janë rreth 50 intervista që Ismail Qemal Vlora ka dhënë si kryeministër për gazetarët e huaj. Mos harrojmë! Jemi në vitin 1913
ESAD PASHA, DITARI I KRYEMINISTRIT
Dy fletore me vija, secila me 14 fletë, të printuara gjatë qeverisjes së Wied­it dhe me mbishkrimin në kopertinë “Rrnoftë Shqypnija”, Esad Pasha ka lënë një xhevahir të rrallë. Është një ditar të cilin ai e ka mbajtur gjatë kohës që ishte kryeministër, duke u bërë njëherësh i vetmi shef qeverie që ka mbajtur ditar.

Në fakt, është ajo që quhet fletë e papastër e punës së shkruar të qeverisë që Esad Pasha më pas i hidhte në dokumente të tjera. Por si në rregullin e shkrimtarëve, koshi i letrave është më i pëlqyeri se ato që quhen fletë të pastra. Ky ditar sot është dokumenti i vetëm që tregon veprimtarinë e qeverisë së Esad Pashës. Ja një pjesë nga këto shënime: “Durrës, 29 i vjeshtës së parë 1914. Ora 10 e ditës. Qamil Musa Efendiu është tue i dhënë vetes një autoritet dhe po ndërhyn në punët e brendshme të qeverisë. Mbasi Qamil Efendiu nuk ka asnjë cilësim zyrtar, ju porosisim… nuk do t’i jepni aspak randësi veprimeve dhe propagandave të tij.”
NJË JETË E SHTHURUR
I zhytur në qejfe, në vitin 1919 ai bënte një jetë në Parisin e kohës sa edhe vendësit e kamur nuk do ta arrinin. Në shkrimin e tij me titull “Cili ka qenë Esadi”, Mit’hat Frashëri shkruan se vetëm e dashura e tij në Paris kushtonte 2 milionë franga, pa llogaritur shpenzimet e tjera. Kush ishte kjo vajzë që e shoqëronte Pashain edhe në momentin e fundit të jetës kur u vra në atentat? Pikërisht për këtë arsye ajo u bë publike në gjyqin e Avni Rustemit në të cilën u thirr si dëshmitare. Quhej Dyfur Eliz dhe ishte vetëm 22 vjeçe, ndërsa Pashai 58 vjeç. Ja dëshmia e saj: “Jam metresa e Esat Pashës që prej gati 10 muajsh, me të cilin jam njohur në Danvil, në muajin shtator të vitit të kaluar, e që prej asaj kohe kemi jetuar si bashkëshortë. Esat Pasha kishte shumë të holla në dispozicion të tij dhe shpenzonte pa masë. Depozitoi para meje një shumë fort të rëndësishme në bankë….

Gjenerali ishte i martuar dhe më kishte bërë të ditur se së afërmi i vinte gruaja, prandaj dhe mua më duhej të largohesha ditën e martë. Ai vetë do të vendosej në të njëjtën vilë Seid që kishte zënë me qira për dy vjet”. Pasi hoqi dorë nga mbështetja që i bëri dhe pasi e njohu mirë pashain aventurier, Mit’hat Frashëri rrëfen edhe një episod më shumë për të treguar jetën e shthurur të Esadit: “Një ditë ai takoi përpara shtëpisë së tij në Tiranë një vajzë të sjellshme, të cilën e pyeti se e kujt ishte. “Jam vajza jote”, iu përgjigj fëmija i pafajshëm”. Jeta personale e Esadit ishte bërë piktoreske edhe për të huajt, teksa në librin “Paris 1919”, mbesa e kryeministrit anglez, George Lloyd, shkruan: “Bashkëshortja e parë e kërcënoi Esadin sepse po e ndante dhe do merrte gruan e dytë, ajo e kërcënoi dhe për këtë në Tiranë e admiruan shumë.”

PARFUMI “ESAD PASCHA” NË PARIS!
“Chanel”, “Coco Chanel”, janë markat më ndjellëse të parfumeve në Paris. Por në vitin 1919, në kryeqytetin e parfumeve, kishte edhe një markë më shumë dhe jo pak të njohur. Në etiketë shkruhej: Parfum “D’Essad Pacha”. Mos u çudisni! Një kryeministri me gradën gjeneral, një komandanti me 3 mijë ushtarë, një frekuentuesi të salloneve mondane të Parisit dhe të hoteleve të luksit dhe një kontraversi si Esad Pasha i duhej edhe një erë e mirë me vete. Dhe çfarë parfumi se! Një lëng të rrallë të trashëguar për 500 vjet nga Karl Topia, gjenerali i Skënderbeut, nga i cili pretendonte se kishte prejardhjen Esad Pasha dhe që formulën e dispononte vetëm ai. Dhe që një ditë, në shenjë mirënjohjeje, e ndau këtë sekret, duke ia vënë në dispozicion formulën Fernando Nonza­s, komandantit të shtabit qendror të forcave aleate në Lindje, të cilin e kishte njohur që në 1914. Ja çfarë shkruante komandanti francez: Esad Pashë Toptani në zyrën e tij në Selanik, kur ishte shpallur kryeministër. “Nga një përzierje lulesh e bimësh, shumë më të rafinuara nga sa mund të mendohet sot, Karl Topia kishte mundur të siguronte një koncentrat nga ky parfum me fuqi të pashtershme. Sekreti i këtij parfumi u trashëgua te pasardhësi fisnik i Karl Topisë, njëri prej të cilëve është gjeneral Esad pashë Toptani. Më 1 janar 1919, Esad Pasha më solli si dhuratë për Vitin e Ri formulën e përgatitjes së këtij parfumi.” Ervina Toptani, nusja e një prej pinjollëve të familjes Toptani, ka marrë në vitin 2011 një dhuratë tejet të veçantë nga Parisi: Pikërisht një parfum ekskluziv me emrin “D’Essad Pacha.”

TRIMI QË FRIKËSOHEJ NGA MIU
E megjithatë ky trim kishte një dobësi. Ashtu si në zoologji, armiku më i madh i elefantit është miu, i cili i futet në shputat e këmbëve dhe e kafshon dhe kjo për gjitarin më të madh mbi tokë është një lloj vdekje, edhe për Esad Pashë Toptanin miu i vockël ishte një lloj vdekjeje edhe po ta shikonte me sy. Nipi i tij, Eqrem bej Vlora, e përshkruan dajon trim me një dobësi që nëse kundërshtarët do t’ia dinin, do mund t’ia kishin dalë: “Një pasdite teksa prisja Esatin për kafe, shoh se në shkrimoren time një mi kishte pjellë pesë miushë të veckël ngjyrë trëndafili, po kaq të veckël sa përjashtohej çdo ndjenjë rreziku dhe unë aty për aty vendosa ta trembja një herë mikun tim (Esatin) të tmerrshëm. I futa pra ato në një kuti shkrepëseje dhe pastaj këtë kuti.. ia vura sipër paqetës së cigareve. Esati erdhi.. e kapi kutinë e shkrepësve e shtyu pjesën e brendshme me gisht dhe… bërtiti sikur të shihte kufomat e të gjithë djemve të tij njëherësh, pastaj i flaku tej si e përcëlloi kutinë dhe minjtë”.

A VDIQ ILJAZ VRIONI NGA OVERDOZA E KOKAINËS?
Historitë e tejkalimit të alkoolit me Iljaz Vrionin ishin kthyer në histori normale në Tiranën e atyre viteve. Pietro Kuaroni përshkruan këtë gjendje: “Ai pinte gotë pas gote, pothuaj me gërnje dhe pas pak fytyra e tij u bë baltë, goja iu var, qepallat plumb, ai ishte krejtësisht i dehur. E tillë ishte drama e Iljaz Beut: pija mbyllte brenda tek ai një lloj tërbimi. Dhe ai e duronte keq alkoolin, kalonte orë të tëra duke përsëritur të njëjtat gjëra me atë këmbënguljen ngacmuese të të dehurve: e pamundur të merrje leje për të dalë, biseda kthehej në një kalvar. E gjitha kjo u ngjante krizave: ai pinte ditë të tëra pa ndërprerje. Fillonte sërish në mëngjes për t’iu dorëzuar akseseve të pasdarkës në mbrëmje. Pastaj, befas, bëhej esëll, rrinte dy apo tri ditë mbyllur në shtëpi ku e dëgjonim të grindej. Shërohej si nga një sëmundje: përsëri i qartë, i gëzuar, simpatik, gjer në rifillimin e afërt. Por transferimi i Iljaz Vrionit në Paris në detyrën e ministrit kishte edhe një gjë më shumë. Historiani amerikan, Bernd Fisher, e çon më tej degradimin me overdozat të ish­kryeministrit. Sipas tij, jo vetëm alkooli, por edhe kokaina ishin ato që i dhanë një goditje në zemër Iljaz Vrionit. Asgjë nuk mundën të bënin mjekët e spitalit “Sain Clus” në Paris për ta rikthyer në jetë. Ai vdiq më 17 mars 1938.

HORRORI PAS VDEKJES
Nuk ka ngjarje më horror se ajo që ka ndodhur me varrin dhe eshtrat e kryeministrit të 5­të të shtetit shqiptar. Kishte vetëm 2 vjet që ishte instaluar diktatura komuniste në Shqipëri dhe për ironi kjo diktaturë kishte marrë urdhër në atë maj të vitit 1944, në një prej godinave të sarajeve të Vrionëve në Berat, ku ishte mbajtur konferenca e famshme e PKSH. Por që për sistemin e ri pak rëndësi kishin këto. Pak rëndësi kishin edhe pse Iljaz Vrioni kishte qenë firmëtar i Aktit të Pavarësisë dhe delegat në Kuvendin e Vlorës, e as delegat i Kongresit të Lushnjës. Histeria kolektive shkoi deri aty sa një grup nxënësish të shkollave të mesme, me leva e lopata, hapën varrin e Iljaz Vrionit, nxorën prej andej eshtrat. Një pjesë të tyre i hodhën në lumë dhe një pjesë i bënë ushqim për qentë e rrugës. Një ngjarje që i solli kënaqësi ekstreme diktatorit Hoxha, fati i të cilit me eshtrat, në vitin 1992, u bë i njëjtë me atë të Vrionit. Me të vetmin ndryshim që askush nuk ia hodhi në lumë dhe askush nuk i shpërndau si ushqim për qentë. Iljaz Vrioni është një nga kryeministrat që tani nuk ka varr, si një shenjë mallkimi dhe rregulli të çuditshëm që i ka ndjekur shumicën e kryeministrave të Shqipërisë.

IBRAHIM BIÇAKU, BIZNESMENI QË PUNËSOI ENVER HOXHËN
10 ndërmarrje, 2700 hektarë tokë, llogari bankare pa fund, qindra të punësuar dhe biznesmeni që solli traktorin e parë në Shqipëri për të punuar arat e veta në Peqin. Ndoshta Ibrahim Biçakut vetëm Shefqet Vërlaci mund t’ia kalonte nga pasuria, kur ishte kryeministër. Në dosjen personale ndodhen të gjitha bilancet e biznesit të tij, shumica me fitim, por edhe kredi që ai kishte marrë në banka të ndryshme. Mes tyre vlen edhe tregtia e cigareve me dyqanin e famshëm “Flora”, në të cilin punësoi Enver Hoxhën, pa e ditur që pikërisht djaloshi i punësuar prej tij, do të bëhej edhe pasardhësi në detyrën e kryeministrit.

NJË KRYEMINISTËR PASTRUES I BANJOVE TË QYTETIT
Shumë banorë të Elbasanit e mbajnë ende mend pastruesin e banjave te markata e qytetit. Një plak i gjatë, i kërrusur, me çizme llastiku ngjyrë jeshile deri në kupën e gjurit, një palë pantallona doku dhe që tërë ditën pastronte jashtëqitjet e qytetit. Por të paktë ishin ata që e dinin se pastruesi i fekaleve të qytetit dikur kishte qenë kryeministër i vendit. Kushërira e tij, Dudush Biçaku, tregon: “Ishte e rëndë për ne kur e shikonim Ibrahimin plak që pastronte banjat e qytetit. Sapo vinte në shtëpi, pikërisht ky pastrues, bisedonte në gjermanisht me babën tim. Të dy kishin studiuar në Vjenë dhe bisedat e tyre ishin të nivelit të lartë. Ne gratë kujdeseshim sa të mundeshim për të duke e pastruar dhe larë. E megjithëse ishte pastrues i banjave, Ibrahimi e mbante veten shik. Pasi lahej, ai shpesh vendoste kravatë”.
Didija tregon se të qenit pastrues i banjave ishte si dënim që i bënë Ibrahimit, sepse më parë ai punonte roje i varrezave të qytetit. Por teksa bëhej një ceremoni e varrimit të një personaliteti në një gazetë doli një fotografi ku në sfond dukej edhe armiku Biçaku. Kaq mjaftoi që nga roje varrezash, ta “ulnin në detyrë” si pastrues i banjave të qytetit.

(d.b/Panorama/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb