TIRANE – Shefi i kabinetit të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, të cilit i ka mbërritur fletëthirrja për të kryer ushtrinë në Greqi, rezulton të ketë pasaportë greke.
Pirro Vëngu është rreth 30 vjeç dhe sipas ligjit të shtetit fqinj, ky shërbim kryhet deri në moshën 40-vjeçare.

Gazeta “Panorama” tentoi disa herë të kontaktojë Ministrinë e Jashtme për të marrë një sqarim zyrtar për këtë ngjarje, por të ngarkuarit e diplomacisë shqiptare për të komunikuar me mediat nuk kanë dhënë asnjë përgjigje.

Por burimet konfirmuan për “Panoramën” kërkesën për Pirro Vëngun për të bërë ushtrinë në Greqi, ndërkohë që shefi i kabinetit të Ditmir Bushatit duhet të shkojë të negociojë me shtetin grek, të cilit i disponon dhe nënshtetësinë. Legjislacioni në Athinë parashikon kryerjen e shërbimit ushtarak për 18 muaj dhe prej tij mund të shmangen vetëm ata që kanë probleme shëndetësore.

Vëngu është prej 2 vitesh në detyrën e shefit të kabinetit të ministrit të Jashtëm dhe ka për detyrë të kontrollojë dhe firmosë të gjitha shkresat që kalojnë nga drejtorët te ministri. Shefi i kabinetit, si pozicion, ka për detyrë të kontrollojë dhe koordinojë axhendën e ministrit dhe të këshilltarëve të tij.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb