Në emisionin “Autokton” të gazetares Anila Ahmataj, u trajtua ekzekutimi makabër i Smajl Hajdaraj, ish-deputet dhe drejtues i UÇK-së

Nga angazhimi atdhetar deri te ai politik! Kush ishte Smajl Hajdaraj, Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ish- deputet në kuvendin e Kosovës!

Kishte nisur te trokiste era Rugoniane. Është era e lirisë së këtyre trojeve, lagur me gjakun e dëshmorve të luftës. Sëbashku me Shpëtimin, kishim nisur një rrugëtim të gjatë, për të mësuar nëpërmjet rrëfimit të tij historinë e fisit Hajdaraj,të cilët e deshën kaq shumë atdheun saqë as jetën nuk e kursyen. Kishim mbrritur në majën 1500 m mbi nivel deti, është një ditë e acartë dëbore, ku trashësia e saj i kalon 1,5-m. Jemi në token autoktone të Smajlit, që sot në këtë ditë do ta kishte zili këtë liri që gëzon kjo tokë, për të cilën mohoi jetën!
Origjina e herëshme e “Hajdarajve” dhe rrjedha e jetës së tyre!

Origjina e herëshme e këtij fisi është nga Hoti i Malsisë së Madhe nga Dedë Gjo Luli, ku pas disa vrasjeve qe u bënë të cilat ishin tepër te ashpra ky fis u largua nga fshati. Fillimisht ishin tre vëllezër të cilët u shperngulen ne Rugovë. Vëllai i parë që mbante emrin Nika, që janë sot Hajdarajt u vendos në fshatin Dugaivë, Pllunci ishte vëllai tjetër, i cili u vendos në Malsinë e Rozhajes, ndërsa vëllai tjetër Broçi u vendos në fshatin Shtupeq.
Familja Hajdaraj nga të gjitha regjimet kishte përjetuar tmerre e masakra të mëdha. Në periudhen e grupeve kaçake burrat e Familjes Hajdaraj ishin pjesë e levizjes, por pas ardhjes së Mbretërisë Jugosllave shumica në marrëveshje më pushtetin u dorëzuan dhe moren rehabilitim për mos ndjekje të mëtejshme nga pushteti. Burrat e këtij fisi, për disa kohë nuk u kthyen të lirë në shtepi sepse kishte indikacione që do burgoseshin. Pushteti asaj kohe perdori metoden e dhënies së “besës” që burrat të dorezoheshin në stacionin policor, nga ku aty u premtua se nuk do ndodhte asnjë e keqe. Ata e besuan këtë dhe shkuan, mirpo policia kishte përgatitur një kurth, duke i çarmatosur, arrestuar dhë të nesërmen i ekzekutuan.
Mes të vrarve ishte Ademi, Hajdari, Myftari dhe Çun Feku,nipi i tyre që nuk ndahej nga dajat e vetë asnjëherë. I vetmi që mbeti ishte Rekë Smajli babai i Arifit. Arifi lindi në vitin 1920 dhe mbeti jetim në moshën 6-vjeçare .Kjo shtëpi e këtij fisi mbeti vetëm më një djal dhe dy vajza Arifin, Zaken Shaten,dhe më Hyken Gjyshen e Arifit.
Kur Arifi u rrit u martua më Hyren, me të cilën lindën 5-fëmijê,
Ademin, Haken, Fatimen, Smajlin dhe Fazliun. Pikërisht këtu nis edhe rrugëtimi historik i “HAJDARAJVE”
Kur njëri prej djemve, Fazliu ishte 6- muajsh, i ati, Arifi u burgos për shkak të veprimtarive më karakter kombëtar dhe u dënua me burg, përsëri shtëpia mbeti e vetme pa burra. Arifi ishte vendosur në burgun famëkeq të Goli-Otokut bashkë më Haxhi Zekë Byrdinen, me Sylë Mehmetin, Ali Hysin, Cufe Sokolin, Bajram Ramen, Adem Arifin e shumë të tjerë. Edhe pas lirimit kjo familje ishte e përjashtuar nga gjithçka, mirpo Arifi pas u lirua krijoj autoritet të madh jo vetëm në Rugovë por edhe në gjithë Kosovën.
E thërrisnin Arif Reka.
Një nga djemt e tij që u ekzekutua pabesisht dhe barbarisht ishte Smajli, i cili u lind dhe u rrit në një konak në fshatin Dukajevë, të krahinës së Rugovës.
Në trungun autokton familjar, Smajli u edukua dhe përfitoi një edukatë morale dhe atdhetare që në fëmijëri. Në moshën gjimnaziste u shqua në disa veprime, siç ishte sigurimi dhe shpërndarja e literaturës, te shokët e tij, e cila për regjimin përbënte një veprim kundër pushtetit. Për këtë , për rrjedhën familjare dhe sjelljet e tij të dyshimta, kishte shumë telashe me pushtetin.

Karriera politike e Smajl Hajdarit!

Smajl Hajdaraj ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë. Rugovasit dhe bashkëluftëtarët e tij e përshkruajnë atë, si një njeri trim dhe shumë atdhetar . Idrizi një nga bashkëluftëtarët e tij, rrëfen momentet e përbashkëta.Ai thotë se Smajli ishte një luftëtar i cili kërkonte me doemos që trojet të ishin të lira, ashtu siç janë sot.
Smajl Hajdaraj punoi si mësimdhënës në Shkollën Teknike “Shaban Spahia”, në Pejë, nga viti 1977-të deri ne vitin 1979-të
Ishte viti 1990, kur ai ishte i pari që u largua nga puna, pasi ishte themelues dhe kryetar i Sindikatës të Pavarur në ish organizatën punuese “Elektrokosova” në Pejë. Gjithashtu në një mandat 4- vjeçar ishte edhe kryetar i kësaj organizate për të gjitha distribuimet e Kosovës.
Nga bisedat e kryera me banorë të krahinës së Rugovës, rezulton se Familja Hajdaraj për një shekull ka rezistuar,madje është përgjakur, duke dëshmuar atdhetarinë e saj. Po kështu Smajli, në rrjedhë të traditës familjare, është shquar si një punonjës shkencor, kuadër drejtues dhe komandant i luftës së UÇK-së në gjithë krahinën e Rugovës.
Ka shumë ngjarje ku njerëz besnik apo bashkëluftëtar, të Smajlit, rrëfejnë çaste dhe momente vështirsie në luftimet apo organizimet, për ti bërë ballë okupatorit serb, që kishte tentuar të rrethonte krahinën e Rugovës.
Rrugëtimi i stafit “Autokton” me djalin e Smajlit, Shpetimin, ishte emblematik, pasi ai rrëfeu kalvarin e gjatë të një jete të mbushur plot patriotizëm dhe momente vështirësie të babait! Ai pohoi se jeta e sotme në fshatin Dukajevë, është një e shkuar e lavdishme e prindërve të shumë fëmijëve sot, të cilët jetojnë në trojet e tyre të lire e pa rrezik.
Por nga ana tjetër, jeta politike dhe përfshirja e Smajlit në politikë ishte një vullnet dhe dëshirë e atyre banorve që sot e kujtojnë veprën e tij me nostalgji.
Roli i Smajl Hajdaraj në Lëvizjen Demokratike të Kosovës!
Smajli ishte një nga anëtarët e LDK-së që nga themelimi i saj, kryetar i Aktivit në Vendlindje,Sekretar i Nëndegës për Rugovën deri në vitin 1997, pastaj kryetar i Nëndegës të Lidhjes Demokratike të Kosovës për Rugovën. Komandant i Shtabit Rajonal të Rugovës, kryeshef i Operatives në Brigadën 136 “Rugova”. Në zgjedhjet e para lokale, të pas luftës, zgjidhet deputet i Asamblesë komunale në Pejë, e ndërsa më vonë
deputet në Parlamentin e Kosovës. Por familja “Hajdaraj”ka dhene nje kontribut të madh për vendin, ashtu edhe i vëllai i Smajlit, Prof. Dr Adem Hajdaraj , njeri i punës dhe patëriot, punonjës në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës,
pjesëmarrës në Seminaret Nderkomtare të Gjuhës Shqipe,por ai ishte edhe nje veprimtar i Lidhjës Demokratike të Kosovës dhe gjenerat e Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova, njëherazi deputet i Parlamentit të Kosovës dhe nënshkrues i Pavarësisë.
Smajli nuk ishte i vetëm në gjithë rrugëtimin, vëllai i tij Fazli Hajdari, diplomat i suksesshëm rrëfeu kujtimet e përbashkëta dhe vështirësitë politike, të cilat shumë familjar u detyruan të qëndrojnë larg viseve të tyre.
Smajl Hajdaraj, Komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Krahinën e Rugovës!
Smajl Hajdaraj ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë,i cili u nderua me Dekoratën “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani dhe me medaljen e Artë të Pavarësisë nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

“Enigma e Ekzekutimit”

Familjarët pohojnë se Smajli u vra nga grupet kriminale, pasi ai ishte shtyllë e fortë dhe njeriu më i afërt i Presidentit historik Dr.Ibrahim Rugova. Smajli u vra më 17 -Janar, datë që përkon me vrasjen e vëllezerve Jusuf e Bardhosh Gervalla e Kadri Zeka. Në hollin e hyrjes së banesës së tij në Pejë, ishte bërë një pritë. Smajli po kthehej nga një ditë pune e zakonshme, por nuk e dinte që ajo mbrëmje do të ishte e fundit për të. Ashtu lirshëm hyri në korridorin e banesës por breshëri plumbash u shkrepën mbi të… Ishte momenti dhe pamja e fundit që do të shikonte….
Smajl Hajdari para se të largohej nga kjo botë, sikur i kishte paraprirë gjërat, ai kishte lënë një letër ku rrëfente brenda saj shumë momente të cilat as familja nuk i dinte më pare. Ai flet brenda saj për luftën e UÇK-së, çlirimin e Kosovës dhe grupin që pengonte organizimin ushtarak të asaj kohe.Familja e konsideron si testamentin e fundit që ruajnë nga familjari i tyre, mirëpo a ka qenë ky paralajmërimi i Smajl Hajdarajt para se të ekzekutohej?

“Letra e Smajlit”

“Nuk jam hamendur fare por me tërë potencialin tim politik dhe autoritativ i jam bashkangjitur luftës së shenjtë çlirimtare”
“Mendoj se këto të vërteta dhe këto punë nuk duhet të harrohen nga askush, jam tepër i emocionuar për lirinë e fituar dhe bëj apel që të angazhohemi të gjithë së bashku për ndërtimin e Pavarësisë së Kosovës-qëllim yni i tanishëm”

Ismail Hajdaraj Ish -Komandant i Shtabit Rajonal të UÇK-së për Rugovë….

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb