KOSOVË- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, duke e quajtur sulmin ndaj Kryeministrit Isa Mustafa si të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë. Në deklaratën e Presidencës thuhet se akte të tilla zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit. Jahjaga ka ftuar më tej të gjithë deputetët të respektojnë institucionet e vendit.

“Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga e dënon sulmin ndaj kryeministrit Isa Mustafa gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës. Presidentja Jahjaga e quan këtë sulm të papranueshëm dhe në kundërshtim me frymën e demokracisë së mirëfilltë, me përpjekjet tona për të fuqizuar institucionet e Republikës ë Kosovës dhe vlerat që po i ndërtojmë. Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit. Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë deputetët dhe subjektet politike që t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë”, thuhet në reagimin e institucionit të Presidencës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: