KOSOVE-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim disa prej ambasadorëve të akredituar në Prishtinë, me të cilët diskutoi rreth aktiviteteve të Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës.

Presidentja Jahjaga theksoi se prioritet i punës së Këshillit është përmbushja e të drejtave të garantuara me ligj për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, qasja në drejtësi, qasja në shërbimet shëndetësore, fuqizimi ekonomik si dhe ndërgjegjësimi shoqëror dhe institucional për këtë krim të luftës.

Presidentja Jahjaga vlerësoi mbështetjen e qeverive të vendeve përkatëse për punën e këtij Këshilli dhe për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës dhe theksoi se duhet angazhim edhe më i madh i të gjithë aktorëve për njohjen ndërkombëtare të këtij krimi të kryer mbi popullatën civile të Kosovës.

Ambasadorët shprehën gatishmërinë për të vazhduar mbështetjen për punën e Këshillit Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës, me qëllim rehabilitimin, riintegrimin dhe risocializimin e të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës.

(a.n/Kosovapress/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: