Tifozët shqiptarë janë ndër më të zjarrtit në Europë dhe mbështetin fuqimisht kombëtaren kudo. Por kohët e fundit, sjellja e tyre në stadiume është kthyer në problem, sidomos për sa u përket përdorimit të fishekzjarrëve. Për këtë janë të ndërgjegjshëm edhe futbollistët e kombëtares shqiptare, ku Jahmir Hyka nuk ka ngurruar t’i “tërheqë veshin” mbështetësve të kuqezinjve.

I pyetur nga e përditshmja zvicerane “Blick” rreth ndeshjes me Lihtenshtejnin, pas të cilës portieri i vendasve, Jehle, u ankua se tifozët kishin hedhur fishekzjarrë pranë tij, Hyka nuk ngurroi të pranonte se ishte dakord me futbollistin kundërshtar.

“Kjo nuk është një gjë e bukur” tha ai për episodin e minutës së 72 të takimit. I pyetur nëse një skenë e tillë mund të përsëritej ndaj Spanjës në Shkodër, Hyka u përgjigj: “Tifozët janë tifozë, gjëra të tillë mund të ndodhin”.

Episodi në Lihtenshtejn mund t’u kushtojë shumë shtrenjtë kuqezinjve, të cilët rrezikojnë të luajnë ndeshjen e radhës në shtëpi, në nëntor ndaj Izraelit, pa mbështetjen e tifozerisë, nëse FIFA do të vendosë të përshkallëzojë masat. Pak ditë më parë, ajo bëri të ditur se kishte gjobitur me 50 mijë Franca zvicerane (rreth 46 mijë euro) FSHF-në për sjelljen e tifozëve. /Panorama Sport/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb