Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Nikolin Jaka thotë se sektori bankar në vend nuk është në nivelin e duhur për të përballuar kërkesat. Duke folur në një lidhje ‘skype’ për News24 për garancinë sovrane, ai tha se duhet ndërhyrje e qeverisë dhe të qartësohet mënyra e shpërndarjes.

“Unë mendoj që edhe garancia e parë dhe garancia e dytë në radhë të parë duhet të kishte një fleksibilitet më të madh dhe operimi i veprimeve duhet të ishte më i shpejtë. Implementimi duhet të ishte shumë më i shpejtë. Ka nevojë për ndërhyrje nga ana e qeverisë shqiptare për implementimin e kredisë e cila parashikohet nëpërmjet garancisë sovrane. Ka probleme teknike të cilat rëndojnë kontratën me bankat dhe detyrojnë që sipërmarrja private t’iu nënshtrohet disa ngarkesave të tjera përjashtimisht nga garancia sovrane sepse në rastin konkret sipërmarrja i drejtohet industrisë kombëtare për të aplikuar dhe implementuar kredinë e garancisë sovrane dhe nga ana tjetër banka përfshin në kontratë edhe garanci të tjera përveç asaj që qeveria vë në dispozicion”, deklaroi Jaka.

Ai shpjegoi se kjo vjen pasi sektori bankar nuk është në nivelin e duhur për të përballuar kërkesat dhe për të implementuar garancinë sovrane. “Pse? Shumë e thjeshtë është, nuk e di se sa i mbuluar është sistemi bankar nga garancia sovrane dhe sa të sigurt janë ata”, u shpreh Jaka.

Ai tha se zgjidhja vjen gjithmonë duke u ulur në tryezë dhe duke e bërë më relaksuese marrëdhënien. Në radhë të parë qeveria duhet të ndërhyjë në sistemin bankar që të shohë kush janë mundësitë reale për të dhënë garanci të tjera nëse banka akoma nuk është e bindur dhe Banka në vetvete duhet të reflektojë në mënyrë urgjente implementimin dhe shpërndarjen e garancisë sovrane si të paketës së parë ashtu dhe të paketës së dytë sepse në qoftë se sipërmarrja ka nevojë për këtë garanci sovrane është tashmë koha dhe është faza emergjente ku duhet të dalë nga kjo fazë sipërmarrja dhe më vonë ajo nuk vlen më”, theksoi ai.

Sa i përket mundësisë së një tryeze, Jaka shpjegoi se deri më tani ka pasur një tryezë të organizuar nga Banka e Shqipërisë, guvernatori. “Është bërë një bisedë e hapur. Unë mendoj që qeveria duhet të saktësojë qartësisht për sistemin bankar mënyrën e shpërndarjes dhe të implementimit të garancisë sovrane nëpërmjet paketës 1 dhe paketës 2.
Ajo çfarë vihet re të paktën në komunikim me sipërmarrjen është se sektori bankar nuk është as fleksibël, as i shpejtë dhe as mirëbesues për sipërmarrjen për shpërndarjen e implementimin e paketave.
Këtu kërkohet që të ketë një tryezë dialogu, komunikimit të të tre aktorëve, qeveria, sistemi bankar dhe sipërmarrja e cila është në nevojën e kredimarrjes në mënyrën që të qartësohet se ku është problematika.
Ne e kemi kërkuar dhe kemi caktuar dhe një përfaqësuese të sipërmarrjes private, znj.Muçostepa dhe asaj i është dhënë dhe përfaqësimi në mënyrë që të bëjë ftesat për një tryezë dialogu dhe komunikimi dhe të dalim me përfundime konkrete që t’i vijmë në ndihmë sipërmarrjes në këtë situatë të jashtëzakonshme”, deklaroi Jaka.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb