PRISHTINE- Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka propozuar një qeveri pa zëvendësministra, pasi siç thotë ai në një status në rrjetet sociale, ata e ngarkojnë buxhetin e Kosovës me më shumë se 2 milionë euro në vit. Ai i ka bërë thirrje Kryeministrit të tregojë se sa i kushton Kosovës një Ministër, një Zëvendësministër për një vit.

“Pas qeveria e “re” e Kosovës, ka kabinetin më të madh në Botë, atëherë çdo qytetari të Kosovës e ka të drejtën të kërkojë nga Kryeministri i Kosovës që mos të ngarkohet buxheti i tyre edhe me 70 zëvendësministra. Për faktin se buxheti i Kosovës nuk është vetëm i te punësuarve në administratën e shtetit dhe në shërbimet publike të Kosovës, por është buxhet që duhet të jetë në shërbim të çdo qytetari të vendit. Është e domosdoshme, që Kryeministri të jep një informacion të plotë para opinionit, sesa kushton në vit një ministër me stafin e tij politik, sa kushton një zëvendëskryeministër me stafin e tij politik dhe sa kushton një zëvendësministër me stafin e tij, natyrisht duke përfshirë edhe shpenzimet e tjera që i kanë në dispozicion. Në fund duhet të dihet sesa kushton i tërë kabineti qeveritar. Sipas një llogarie të thjesht del se: nëse një zëvendësministër me te gjitha shpenzimet kushton 2000 euro ( gjë që është e pa mundur), 70 zv.ministrat, buxhetit të Kosovës i kushtojnë 1.680.000 euro në vit, ndërsa, nëse ai harxhon 3000 euro në muaj, ata buxhetit të Kosovës i kushtojnë 2.520.000 euro në vit dhe sa kushton nëse shpenzimet e tij mujore e kalojnë shumën prej 3000 eurove. Pra është e domosdoshme që këto shpenzime të bëhen transparente”, shkruan Krasniqi në një reagim të tijin.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: