TIRANË

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri do të gjykohet tek Krimet e Rënda për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Pas vendimit që erdhi pas një seance maratonë, Tahiri i pyetur nga gazetarja Klodiana Lala nëse ndihej i bërë kurban, tha se nuk është kollaj të jetë ai kurbani. Ai dha edhe një koment për mungesën e tij në Kongresin e PS-së, ndërsa theksoi se është prapë ministri kampion dhe se për atë që ka bërë për Policinë e Shtetit nuk pendohet.

Keni një koment për Kongresin, hera e parë që nuk ishit në Kongres?
Nuk kam asnjë koment, është vendimi im dhe i askujt tjetër për të mos bërë politikë deri kur kjo çështje që më hapi politika të mbyllet.

A ndiheni i bërë kurban për hallet e politikës?
Nuk e ndiej veten asgjë nga këto që thatë. Di vetëm të them që drejtësia iu ka shumë borxhe njerëzve. Di të them që në këtë vend në 25 vjet kanë qeverisur njerëz që kanë vjedhur dhe kanë vrarë. Unë nuk kam vjedhur kërrkënd. Nuk ka një qytetar që të thotë më ke futur dorën në xhep. Nuk kam vrarë kërrkënd, çdo kusur që po përjetoj tani, do ia dal deri në fund dhe sigurisht që as më shqetëson shumë. Pastaj komentet nëse jam unë kurbani apo jo, kjo nuk është dhe aq e kollajtë të jem unë, kështu që nuk më shqetëson.

A keni pengje për mënyrën se si keni vepruar si ministër i brendshëm për 4 vite? Sepse nga një ministër kampion jeni një i pandehur zyrtar…
Ky s’mund të jetë momenti kur unë të rrëfej jetën time. Jo unë jam prapë ministër kampion të jesh e bindur. Atë që kam bërë për policinë e shtetit nuk i kthehem kurrë mbrapa.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb