Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma ka dalë nga mbledhja e Grupit Parlamentar ku po zhvillohen diskutime përsa i përket bashkëpunimit me grupimin e Berishës për zgjedhjet e ardhshme vendore.

Në një prononcim për mediat, Duma deklaroi se ajo personalisht është për realizimin e procesit të primareve.

Duma gjithashtu zbuloi se edhe në grupin e PD-së është shtruar si diskutim çështja e primareve, teksa theksoi se duhen gjetur mekanizmat e duhur për të maksimizuar këtë situatë.

Duma: Unë nuk dua të flas më si palë, ne, ata. Po të përdorim këtë gjuhë, atëherë nuk do flasim për bashkim. Shikoj që fryma e bisedës ka qenë krejtësisht e paqtë dhe konstruktive nga të dy individët e tryezës. Padyshim edhe fryma me të cilën e lashë mbledhjen, është një frymë e sinqertë dhe e vërtetë e Grupit Parlamentar të PD-së, me kujdesin më të madh që ata që janë kontributor, anëtarë dhe jo vetëm individët që sot janë në krye të degëve por edhe ata që presin lajmin e madh të bashkimit dhe zgjerimit të jenë pjesë konstruktive e këtij procesi, edhe mënyra si do shkohet drejt këtyre primareve është duke u diskutuar në çdo moment. Fakti që kanë nisur diskutimet se kush janë mekanizmat që e maksimizojnë këtë situatë, e quaj një lajm të mirë.

Pyetje: A nuk është momenti që të ketë një takim të përbashkët mes deputetëve të grupit parlamentar të PD-së dhe deputetëve të Berishës?

Duma: Mund të zhvillohet në çdo moment, duhet të zhvillohet në çdo moment. Sot nuk është diskutimi se çfarë bënë grupi parlamentar i PD-së, por nëse ajo që bën çon në shkrirjen e krijimin të njëjtës bashkësi reale në strukturat e PD-së. Të gjitha simbolikat se kur u takuan apo ku, janë më të vogla se sa bashkimi. Të jemi të vërtetë.

Pyetje: A janë pengesë primaret e Berishës?

Duma: Mos gabohem, ne kemi ditët përpara për të nisur primaret. Do të jem për primaret dhe primaret e thella. Se sa thellë primaret do maksimizojnë, varet nga ne se cilat mekanizmat do na çojnë nga listat tek konkurrimi. Të bësh garë reale në një terren ku nuk kandidojnë njerëz me lista të mbyllura por me lista të hapura.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: