Në fjalimin e tij si president i 47-të i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump shpalli një vizion të ri për Amerikën, duke theksuar se e pamundura është “ajo që dimë të bëjmë më mirë.”
“Ja ku jam sot. Njerëzit amerikanë kanë folur. Qëndroj para jush si provë që asnjëherë nuk duhet të besoni se diçka është e pamundur,” deklaroi Trump, duke i kujtuar kombit trashëgiminë e pionierëve që ngritën Amerikën mbi sakrifica dhe guxim.
Duke përmendur arritjet e mëdha të së kaluarës, si ndërtimi i infrastrukturës, fitoret mbi komunizmin dhe fashizmin, dhe përkushtimin ndaj lirisë, Trump u zotua të rindërtojë një vend që frymëzon krenari dhe unitet.
“Ne me ndihmën tuaj do rindërtojmë një vend që duam kaq shumë. Për çdo prind që ëndërron për fëmijët e tyre, unë jam me ju, do luftoj për ju dhe do fitoj për ju,” tha ai.
Trump theksoi vizionin e tij për një Amerikë të guximshme dhe të fuqishme, të aftë për të sjellë paqe në një botë të trazuar. Ai u zotua për një vend sovran dhe të pavarur, duke premtuar se SHBA nuk do të pushtohet, intimidohet apo dështojë.
“Do të jetojmë të lirë, do të ëndërrojmë dhe asgjë nuk do të qëndrojë në rrugën tonë. Epoka jonë e artë sapo ka filluar,” përfundoi Trump, duke i dhënë ton optimist dhe energjik fillimit të administratës së tij.
“Ja ku jam sot. Njerëzit amerikanë kanë folur. Qëndroj para jush si provë që asnjëherë nuk duhet të besoni se diçka është e pamundur. E pamundura është gjëja që dimë të bëjmë më mirë në SHBA. Nga Nju Jork në Los Anxheles, nga Filadeflia në Feniks, deri në Uashington, vendi ynë u ngrit nga patriotët që dhanë gjithçka për të drejtat tona dhe liritë. Ata ishin pionerë që ecën përpara dhe nuk lanë pengesat të ndalojnë shpirtin e tyre. Ata ndërtuan autostradat, hekurudhat, ngritën qiellgërvishtësit, mundën komunizmin dhe fashizmin. Ne me ndihmën tuaj do rindërtojmë një vend që duam kaq shumë. jemi një familje, një vend i madh. Për çdo prind që ëndërron për fëmijët e tyre, unë jam me ju, do luftoj për ju dhe do fitoj për ju. Do fitojmë si kurrë më parë.
Do të jemi një vend kurajoz, fuqia jonë do të ndalojë çdo luftë dhe do sjellë paqen në një botë të egërsuar, të dhunshme dhe të paparashikueshme. Do të jemi krenarë dhe të fortë. Nuk do pushtohemi, nuk do të intimidohemi dhe nuk do të dështojmë. Nga kjo ditë SHBA do të jetë një vend sovran dhe i pavarur. Do të jetojmë të lirë, do të ëndërrojmë dhe asgjë nuk do të qëndrojë në rrugën tonë dhe epoka jonë e artë sapo ka filluar”, u shpreh ai.