Policia e Shkodrës ka arrestuar një 65-vjeçar, i cili akuzohet për ngacmim seksual. Në pranga ka përfunduar shtetasi Vehbi Haxhija, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale kërkonte marrëdhënie seksuale me të mitura kundrejt parave.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin V. H., 65 vjeç, banues në fshatin Oblikë , Shkodër, për veprën penale ‘Ngacmimi seksual’. Në kohë e vende të ndryshme, në mënyrë të vazhdueshme ka ngacmuar seksualisht disa shtetase kryesisht të mitura”, sqaroi Policia e Shkodrës.

Bashkëpunëtores së “Fiks Fare” i dërgoi një sms në mesenxher, dhe pas kësaj ai filloi t’i shpjegonte vajzës gjithë procesin e seksit edhe pse ajo ishte prezantuar si 14-vjeçare. Ai i thotë vajzës se do ta mbajë me para, do t’i blejë rroba dhe telefon mjafton që të kryejnë marrëdhënie seksuale bashkë. Ai e prezanton veten si “ujk të seksit”.

Vajza la takim me të moshuarin në hyrje të Kalasë së Shkodrës dhe në këtë moment gazetarët lajmërojnë edhe Komisariatin e Policisë, në mënyrë që të bëhej arrestimi në flagrancë. Por, i moshuari nuk u paraqit në takim.

Të gjendur në këto kushte gazetarët bashkë me shefin e Krimeve të Komisariatit Shkodër udhëtuan drejt fshatit të tij, ku edhe u bë arrestimi. Nga këqyrja që ju bë celularit të tij u vu re se vajza me të cilën kishte lënë takim, përveç se i ishte bërë bllok ishin fshirë dhe të gjitha bisedat me të. Në telefonin e tij kishte biseda të shumta me të mitura, të cilave u premtonte shuma parash në këmbim të marrëdhënieve seksuale.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb