TIRANË

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka folur mbrëmjen e sotme në “Real Story” në News24 për koncesionin e sterilizimit dhe PPP duke i cilësuar një instrument ligjor.

Manastirliu tha se sterilizimi nuk është vetëm për veglat por janë 5 procese të integruara dhe kjo gjë ka bërë të mundur reduktimin e kohës në sallë dhe uljen e ditë qëndrimit të pacientit në spital.

“Negocimi për sa i përket kontratës së sigurimit të shërbimit të sterilizimit është një shërbim që nuk ka vetëm veglat por ka 5 procese të integruara që kryhen për të bërë të mundur realizmin e ndërhyrjeve operatore për të siguruar uljen e infeksioneve postoperatore, sigurinë e jetës së pacientit dhe mbi të gjitha arritjen e standardeve brenda sallave operatore. Procesi nuk është vetëm vegla, janë 100 mijë vegla, është gjithë procesi i sterilizimit i përditshëm për paketimet që shkojnë në sallë, janë gjithë veshjet dhe uniformat.
Nuk ka vetëm veglat por gjithë procesin e integruar. Kontrata ka parashikuar vetë që autoriteti kontraktor mund të ndryshojë kushtet. Një kontratë kur fillon nuk fillon dot menjëherë në të gjithë Shqipërinë. Së pari ka ndërtuar centralet e sterilizimi. Kur nisi në 2016 filloi njëherë realizmi në QSUT ku u realizuan 17 mijë ndërhyrje operatore më pas u shtri 7 spitale.
Ky proces redukton kohën në sallë. Ul kohën e ditë qëndrimit të pacientit në spital, për arsye të uljes së infeksioneve post operatore. Ka përmirësuar eficencën në sallë, duke bërë më shumë ndërhyrje operatore. Në 2018 ishte vit i plotë”, deklaroi Manastirliu.

Për PPP-të, Ministrja tha se çdo procedurë realizohet nga ekspertët, çdo studim fizibiliteti, ka disa procedura. “Është bërë si një fjalë turpi por PPP është një instrument ligjor. Duhet të përdoren nga qeveritë që të kenë kosto eficente. Nuk është një koncesion se ti po ia fal privatit një shërbim, por privati është në shërbimin tim”, deklaroi ministrja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb