Në intervistën për emisionin ‘Kjo Javë’ me Nisida Tufën në News24, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, u ndal dhe te operacioni kundër mjeteve luksoze dhe të blinduara, duke thënë se ndonëse vëmendja është përqendruar vetëm te Operacioni “Forca e Ligjit”, në fakt Policia e Shtetit vazhdon punën në të gjithë dimensionin e saj.

Sipas ministrit Lleshaj, policia ka një vëmendje të shtuar të kontrolleve në fushën e rendit publik, ku kontrolli nuk ndalet vetëm te mjetet e blinduara, por edhe tek armëmbajtja pa leje.

Ministri tha se gjatë vitit që lamë pas janë kapur 524 armë në rrugët e vendit, ndërsa foli edhe për kronikat e televizionit italian “Rai3” për kanabisin, duke thënë se janë të pavërteta pohimet e tyre se ka rritje të kultivimit të kanabisit në Shqipëri.

Pjesë nga intervista:

Prej një jave me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit po Zhvillohet një operacion për automjetet e luksit dhe ato të blinduara. Si po shkon ky operacion?
Edhe kjo është ndërthurur me “Forcën e Ligjit”. “Forca e ligjit” është e karakterit administrative që ndodh në një shinë tjetër. Ndërsa kontrolli dhe puna e përditshme e policisë për mbajtjen e parametrave të sigurisë së rendit dhe për luftën ndaj krimit në karakterin penal, është pjesa dhe puna kryesore e policisë. Pavarësisht se ka marrë vëmendje të madhe OFL-ja këto ditë, ajo nuk është e vetmja pjesë e Policisë së Shtetit. Policia e shtetit vazhdon në të gjithë dimensionin e saj. Ne kemi një vëmendje të shtuar të kontrolleve në fushën e rendit publik, sidomos për kontrollet e armëmbajtjes. Ende në Shqipëri qarkullojnë shumë armë pa leje. Ne vitin që shkoi e forcuam ligjin, kemi penalizuar rëndë armëmbajtjen pa leje dhe tani po kontrollojmë sesi po zbatohet. A ka armë në qarkullim apo jo. Herë pas here zhvillohen kontrolle të kësaj natyre. Në përgjithësi kontrollet kanë një objektiv. Shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor, që ende ndodh për fat të keq shumë dhe armëmbajtjen pa leje. Por kjo s’ka lidhje me OFL-në. është një detyrë e policisë. Përsa i përket mjeteve të blinduara, kjo ka lidhje me OFL-në për arsye se ligji i sapo miratuar i jep fuqi Policisë së Shtetit t’ua heqë autorizimin për mbajtjen e mjeteve të blinduara.

A është normale z. Lleshaj që policë të armatosur dalin në postblloqe në mes të ditës për të kryer kontrolle në një kohë që edhe vetë dogana mund ta bëjë këtë?
Nuk është normale. Po. Duhet të ishte bërë që në dogana por atje është bërë diçka tjetër. Që mjetet e blinduara kanë ardhur. Janë krijuar flota të tëra në dispozicion të personave më histori të rënda kriminale. Tashmë ka ardhur koha për ta riadresuar këtë çështje. Sigurisht që do të ishte mirë që në rrugët e vendit të mos dukej asnjë polic.

Sidomos të armatosur…
Të armatosur dalin shumë rrallë. Dalin në rastet kur ka indicie apo sinjale që mund të ballafaqohen me njerëz të armatosur. Ne nuk mund ta lëmë as policinë që të futet në operacione e papërgatitur për arsye që ne dimë që kjo polici ka pësuar shumë në harkun e 30 viteve. Ka lënë shumë anëtarë të saj pre e sulmeve të armatosura nga bandit kriminale, por ajo që po ndodh është një përpjekje për të kontrolluar qarkullimin me armë në rrugët e vendit dhe qarkullimin e mjeteve që janë të paautorizuara, të blinduara.

A keni një bilanc të armëve të kapura deri tani?
Bilanc nuk ka po ne kemi rezultatet që vitin që shkoi janë kapur 524 armë në rrugët e vendit. Pavarësisht se tani është e qartë që kodi penal nuk ka asnjë klauzolë apo nuk ka asnjë mundësi që të shpëtosh pa burg nëse kapesh me armë prapë ka njerëz që nuk e dinë këtë punë. Ka qenë një legjislacion tjetër. Vitin që shkoi ndryshoi legjislacioni, por duhet thënë që në rrugët e vendit ka njerëz që qarkullojnë me armë dhe nuk duhet të harrojmë që Shqipëria ka qenë një arsenal armësh më vete, që në 97’n morën rrugët dhe po bëjmë 20 vjet që nuk po mblidhen dot. Është një prioritet shumë i madh që ne do ta vazhdojmë po me atë intensitet edhe këtë vit. Përpjekja është për të mos shqetësuar asnjë qytetar dhe i ftoj qytetarët të kenë mirëkuptim në emër të sigurisë së tyre. Kontrollet bëhen për të shtuar sigurinë e qytetarëve normalë. Do përpiqemi për të balancuar mirë nevojën për të qenë konseguent ndaj kategorisë së qytetarëve që përdorin ose mbajnë armë pa leje me vete dhe në të njëjtën kohë për të qenë sa më pak shqetësues për qytetarët e tjerë. Ndonjëherë funksionon, ndonjëherë edhe nuk funksionon, se ne në rrugë policë shqiptarë nxjerrim. Nuk I marrim nga ndonjë planet tjetër. Ka raste që edhe vetë punonjësit e policisë çedojnë në performancën e tyre në rrugë. Këtu kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve por edhe reagimin e qytetarëve. Ne kemi SHÇBA-në që kontrollon punën e policisë në aktivitet të përditshëm për të parë sesi policia e bën punën e saj. Po e bën këtë punë me një kujdes të jashtëzakonshëm dhe vendosmëri të palëkundur.

Një problem shqetësues ka qenë edhe kanabisi. Si është situate tani me kanabisin? Kam këtu parasysh edhe denoncimet që vijnë nga kronikat në televizionin Italian?
Situata me kanabisin në Shqipëri ka mbërritur në nivelin më të ulët në historinë e këtyre 30 viteve. Shqipëria ka patur një histori që fillon në vitin 91’, që ka kulmuar me Lazaratin ku kanabisi u shndërrua në një politikë shtetërore nëse I referohemi udhëheqësve politikë të kohës. Pati pastaj një rënie drejt minimumeve historike për shkak të një pune jashtëzakonisht të madhe që është bërë. Mund ta deklaroj sot me përgjegjësi të plotë që niveli i trafikimit të kanabisit në Shqipëri apo I trafikimit të kanabisit nga Shqipëria drejt vendeve të tjera është në minimumin historik. Nëse përmendet vetëm një shifër në raport me Italinë meqë e përmendët. Viti 2018 ka qenë një vit shumë I suksesshëm. Në vitin 2019, autoritetet italiane kanë kapur 6 herë më pak kanabis me origjinë nga Shqipëria krahasuar me vitin 2018, pa u marrë me vitet e mëparshme. Sipas vetë autoriteteve italiane, niveli I trafikimit të kanabisit nga Shqipëria në drejtim të Italisë, ka mbërritur në nivele pothuajse të papërfillshme, historikisht të papërfillshme. Përsa u përket kronikave që vijnë nga Italia unë e kam dhënë përgjigjen time. I konsideroj sit ë pavërteta dhe shpreh keqardhjen për ata që i kanë publikuar duke krahasuar gjëra të pakrahasueshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb