Një tërmet i fortë tronditi rajonin japonez të Fukushimës mbrëmjen e së mërkurës, duke bërë që Agjencia Meteorologjike të nxjerrë një paralajmërim për shfaqjen e një cunami në prefekturat Fukushima dhe Miyagi dhe duke rizgjuar kujtimet e katastrofës bërthamore të vitit 2011.

Paralajmërimi për cunami është hequr pasi vendi u godit nga një tërmet me magnitudë 7.3 të mërkurën.

Të gjitha paralajmërimet për cunami janë hequr, raportoi transmetuesi NHK, pas shqetësimeve fillestare se mund të kishte valë në lartësi deri në 1 metër.

Rajoni është shtëpia e centralit bërthamor të Fukushima Daiichi, i cili u shemb pas një cunami në 2011, një ngjarje që ende rëndon mbi Japoninë duke e lënë pjesën më të madhe të rajonit të braktisur.

“Tërmeti i fortë dhe afatgjatë me magnitudë 7.3 vetëm pas orës 23:36 (1436 GMT) dhe 57 kilometra në lindje-veri-lindje të qytetit të Namie në prefekturën Fukushima u ndje edhe në Tokio, rreth 300 kilometra larg”, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së.

Marco Bohnhoff, një sizmolog nga Qendra Kërkimore gjermane për Gjeoshkencat tha se sipas standardeve japoneze, tërmeti ishte i përmasave mesatare.

Tërmeti goditi vendin pothuajse 11 vjet pasi rajoni në veri-lindje të vendit ishullor aziatik u shkatërrua nga një tërmet me magnitudë 9 dhe një cunami masiv i shkaktuar prej tij.

Japonia është një nga vendet më të prekura nga tërmetet në botë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb