Mungesa e shiringave speciale mund të prishë planet e Japonisë për përdorimin e vaksinës Pfizer-BioNTech kundër COVID-19 në sistemin e saj të imunizimit në të gjithë vendin, deklaroi të martën një zyrtar i lartë i Shëndetësisë.

Muajin e kaluar, Japonia njoftoi se kishte siguruar doza për 72 milionë banorë, duke u bazuar në supozimin se një shishkë e vaksinës do të sigurojë gjashtë vaksinime.

Megjithatë, mungesa e shiringave me “hapësirën e vogël të zbrazët”, të cilat kanë piston të ngushtë dhe zvogëlojnë sasinë e vaksinës së mbetur, do të thotë që duhet të përdoren shiringat standarde, ato që nxjerrin vetëm pesë doza nga secila shishkë, njofton “Kyodo News”.

Kjo nënkupton se doza të mjaftueshme do të ketë për 60 milionë njerëz, thekson raporti.

“Shiringat që përdoren në Japoni mund të tërheqin vetëm pesë doza. Ne do të përdorim të gjitha shiringat që kemi të cilat mund të tërheqin gjashtë doza, por natyrisht, kjo nuk do të mjaftojë pasi jepen më shumë injeksione”, citoi agjencia e lajmeve të ketë thënë ministri i Shëndetësisë, Norihisa Tamura.

Një tjetër zyrtar i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë tha se qeveria ka “vendosur të diskutojë me Pfizer-in se me sa doza të tjera mund të furnizojë Japoninë”.

Zyrtarët kanë nxitur prodhuesit e pajisjeve mjekësore të “rrisin prodhimin e shiringave speciale” pasi Japonia synon të fillojë vaksinimin e punonjësve shëndetësorë nga 17 shkurti.

Faza e parë do të jetë “një studim për të verifikuar sigurinë e vaksinës” përpara se të fillojnë vaksinimet për rreth 36 milionë njerëz të moshës 65 vjeç e më shumë, nga prilli, tha “Kyodo News”.

Japonia ka gjasa të miratojë vaksinën Pfizer-BioNTech për përdorim emergjent që nga java e ardhshme.

Numri i rasteve me COVID-19 në Japoni ka arritur në 408.578, përfshirë 6.601 vdekje.

Kryeqyteti Tokio, zona më e goditur e vendit, përbën 105.024 të numrit të përgjithshëm të infeksioneve, me 491 raste të reja të raportuara të mërkurën.

Ndërkohë, Japonia u ka kërkuar qytetarëve të ndërpresin ose shtyjnë udhëtimin për në Tanzani “për shkak të përkeqësimit të shpejtë të situatës së infeksionit me koronavirusin pasi presidenti i vendit afrikan mohon ekzistencën e COVID-19”, raportoi e përditshmja japoneze “The Mainichi”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb