Numri i rasteve ditore me Covid-19 në Japoni ka kaluar 30 mijë për herë të parë që nga fillimi i pandemisë.

Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies ka njoftuar se në 24 orët e fundit në të gjithë vendin janë zbuluar 32.197 raste me Covid-19.

Me këtë është thyer rekordi prej 25.992 rastesh më 20 gusht 2021, kur u mbajtën Lojërat Olimpike Tokio 2020. Pas rreth 500 rasteve të zbuluara në ditën e parë të vitit 2022, rastet ditore u rritën më shumë se 60 herë.

Në kryeqytetin Tokio në ditën e fundit u regjistruan 5.185 raste ndërsa 5.396 raste në qytetin jugor të Osakës.

Numri i rasteve në kryeqytet ka kaluar 5.000 për herë të parë në 5 muajt e fundit ndërsa rastet më të larta janë regjistruar në Osaka.

Kryeministri japonez, Fumio Kishida tha se “disa provinca do të shqyrtojnë urgjentisht kërkesat për një gjendje të pjesshme të jashtëzakonshme” pasi rastet kanë arritur një rekord të lartë.

Kreu i Bordit Këshillimor të qeverisë për Covid-19, Shigeru Omi tha se “duhen marrë masa paraprake sipas karakteristikës” së variantit Omicron.

Sipas agjencisë Kyodo, qeveria planifikon të zgjasë gjendjen e pjesshme të jashtëzakonshme nga 21 janari në 16 provinca, e cila është zbatuar vetëm në 3 provinca deri më tani.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb