Autoritetet japoneze kanë vendosur të pezullojnë funksionimin e centralit bërthamor Tokai 2 në provincën Ibaraki në verilindje të Tokios, kryeqytetit të Japonisë, për shkak të mungesës së planeve rajonale të evakuimit.

Gjykata e qarkut ka pezulluar përkohësisht funksionimin e këtij objekti bërthamor të vendosur në bregdetin e Paqësorit.

Gjykatësja Maeda Eiko theksoi se një vendim i tillë është sjellë për shkak të mungesës së planeve të sigurta të evakuimit.

“Sistemet ekzistuese të paralajmërimit të rrezikut nga katastrofa dhe planet e evakuimit janë të diskutueshme”, tha Maeda, duke shtuar se afër 940 mijë njerëz jetojnë brenda një rreze prej 30 kilometrash nga struktura.

Ajo theksoi që komunat e afërta duhet të hartojnë plane të qarta rajonale për evakuimin e popullsisë.

“Situata aktuale paraqet një rrezik konkret që mund të shkelë të drejtat personale të njerëzve që jetojnë në zonat përreth”, tha Maeda.

Centrali bërthamor Tokai 2, i cili filloi funksionimin komercial në vitin 1978, operon nën kujdesin e kompanisë Japan Power Atomic (JAPC). JAPC ka njoftuar se do të apelojë vendimin e gjykatës/AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb