Trendi i vetëvrasjeve në mesin e grave në Japoni gjatë pandemisë së COVID-19 është përshkallëzuar.  Mbi 7.000 gra kanë kryer vetëvrasje vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të publikuara sot, 7.068 gra kanë kryer vetëvrasje në vitin 2021, duke shënuar rritje për të dytin vit radhazi të numrit të rasteve të vetëvrasjeve te gratë.

Megjithatë, numri i përgjithshëm i vetëvrasjeve në vend pësoi rënie të lehtë me 74.

“Efekti i pandemisë së koronavirusit duket se manifestohet në mënyra të ndryshme”, tha një zyrtar i paidentifikuar i Ministrisë së Shëndetësisë për “Kyodo News”.

Përhapja e koronavirusit goditi botën në dhjetor të vitit 2019, gjë që ndikoi negativisht në jetën e përditshme dhe dëmtoi rëndë jetesën pasi qeveritë vendosën bllokime për të ndaluar përhapjen e infeksionit vdekjeprurës.

Në përgjithësi, 21.007 persona i dhanë fund jetës në Japoni, 838 më shumë se numri i vetëvrasjeve të regjistruara në vitin 2019.

Vendi me mbi 126 milionë banorë po përballet gjithashtu me një popullsi të plakur, duke përbërë 28.5 për qind të popullsisë së përgjithshme të tij.

Ministria e Shëndetësisë tha se arsyet për vetëvrasjet e grave “ishin nga më të zakonshmet”, përfshirë problemet familjare si “mosmarrëveshjet martesore dhe pesimizmi për të ardhmen e familjes”.

“Ata që përmendin probleme në lidhje me çështjet ekonomike dhe jetësore u rritën nga 29 në 454, me 185 gra që vranë veten për shkak të vështirësive për të siguruar jetesën”, treguan të dhënat.

“Po ashtu 314 nxënës të shkollave të mesme kryen vetëvrasje në vitin 2021, duke përmendur arsye të tilla si sëmundje mendore, përfshirë depresionin, performancën e dobët akademike dhe mosmarrëveshjet në raport me prindërit e tyre”, thuhet më tej.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb