Japonia ka njoftuar se do të dërgojë maska dhe veshje mbrojtëse në Ukrainë për t’u mbrojtur nga armët kimike.

Siç raporton ‘Kyodo News’, ministri japonez i Mbrojtjes, Nobuo Kishi, tha se Tokio gjithashtu do t’i ofrojë Ukrainës dronë komerciale në luftën e saj të vazhdueshme me Ukrainën.

“Vendimi u mor me kërkesë të qeverisë ukrainase. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë sa më shumë mbështetje për qeverinë ukrainase”, tha Kishi në një konferencë për media.

Më parë, Japonia i ofroi Ukrainës jelekë antiplumb, helmeta dhe uniforma beteje dimërore.

Japonia u bashkua me aleatët e saj perëndimor në sanksionet kundër Rusisë për ta detyruar atë të ndalojë operacionet ushtarake kundër fqinjit të saj jugor.

Vendi po ashtu vendosi ndalime të importit për 38 artikuj nga Rusia, përfshirë vodkën, me gjithsej 125 milionë dollarë ose 1,1 për qind të importeve të Japonisë nga Rusia.

“Ne do të studiojmë tërësisht masat emergjente për t’iu përgjigjur me shpejtësi efekteve në jetën dhe aktivitetet ekonomike të njerëzve”, tha Koichi Hagiuda, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë së Japonisë.

Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), në luftën që filloi më 24 shkurt në Ukrainë deri më tani janë regjistruar 4.966 viktima civile në Ukrainë, respektivisht 2.104 të vrarë dhe 2.862 të plagosur, megjithatë shifra e vërtetë dyshohet se është shumë më e lartë.

Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se po ashtu mbi 4.9 milionë ukrainasë kanë ikur jashtë vendit, ndërsa mbi 7 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb