TIRANË

Kreu i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se PD mbetet e vendosur për të zhvilluar marrëdhënie miqësore bashkëpunimi me SHBA-të, por se ambasadorja Yuri Kim duhet t’iu kërkojë falje demokratëve për frazën me barin.

“SHBA-të janë aksioneri kryesor i botës së lirë. Ne në opozitë dhe në pushtet besoj se do bëjmë çdo kontribut të mundshëm që ky mision të përmbushet në interes të vendit dhe paqes në botë. Nuk bëhet fjalë këtu për marrëdhënie me George Sorosin dhe mafien e vetë. Ka një zotim solemn, non-grata do të jetë vendimi i qeverisë së PD-së për George Sorosin.
Në rastin konkret, ambasadorja që flet si guvernatore, siç e keni parë shkon në superharmoni me elementë të diskredituar kombëtarisht dhe botërisht si për shembull Edi Rama, Taulant Balla etj.


Por marr një shembull, këtu erdhi në një udhëtim sekretari Mike Pompeo. Ishte lënduese për reputacionin e miqësisë midis dy vendeve kur atë e pritën dy mafiozë të damkosur, Taulant Bego Yaris me Alket Hysenin dhe unë mendoj se zonja ka përgjegjësi. Alket Hysenin e kanë larguar nga deputet si mafia e trojeve të Sarandës. Taulant Balla ka disa mbiemra, që të gjitha i ka me këta…Edhe kjo makina e fundit, e morët vesh, makina e Kastriot Gurrës bënte trafikun për llogari të këtyre të dyve çdo ditë sipas një burimi, 300 kg drogë nxirrte në Maqedoni ose Kapshticë. Kjo e detyroi sekretarin që në njoftimin e tij, t’i bjerë vizë këtyre takimeve. Ai tha takova vetëm përfaqësues të opozitës iraniane”, tha Berisha.

Ai theksoi se duhet të kërkojë ndjesë dhe pastaj të tjerat diskutohen.

“Përveç kësaj u bë e famshme ajo fraza e barit. Enver Hoxha u thoshte shqiptarëve se bar do hamë dhe imperializmit amerikan nuk do i nënshtrohemi kurse zonja iu bëri thirrje demokratëve mos hani bar që të votoni Sali Berishën. Këtu i ka prishur marrëdhëniet me Sali Berishën. Unë kam deklaruar që pa kërkesë ndjesë publike ndaj demokratëve ajo nuk takohet me Sali Berishën. Duhet të mësoje, pavarësisht se është përfaqësuese e vendit më të fuqishëm në botë, më të vlerësuar, por jashtë gabimit nuk del askush dhe arroganca nuk është virtyt. Të kërkojë ndjesë dhe pastaj të tjerat diskutohen”, u shpreh Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb