Ekipi i Skënderbeut ka mposhtur 4­-0 Tërbunin. Ndeshja e vlefshme për javën e 12-­të të Kategorisë Superiore solli një dominim të lojës nga korçarët. Salihi, Berisha dhe Progni (2) ishin autorët e ketij triumfi për bardhekuqtë e Mirel Josës.

Me këtë fitore Skënderbeu ngjitet në kuotën e 28 pikëve ku i afrohet përkohësisht Partizanit me vetëm 1 pikë larg, por që këta të fundit kanë një ndeshje më pak që do e luajnë nesër në shtëpi ndaj Vllaznisë.

Tërbuni mbetet në kuotën e 7 pikëve e treta nga fundi. Korçarët kishin mungesa të shumta në këtë përballje. Ndeshja nisi me Skënderbeun më agresiv dhe në kërkim të golit. Berisha, Progni, Olainka dhe Salihi ishin rrezik konstant për mbrojtjen e Tërbunit sa hërë që kanë topin në zotërim.

Goli i parë erdhi në minutën e 16 me autor bomberin shkodran, Hamdi Salihi që gjen golin numër 9 në kampionat. Aksion i shpejtë i korçarëve, Progni nga e djathta hedh një top në qendër për Salihin, i cili me portën bosh e shtyn në rrjetë. Vetëm 3 minuta më vonë korçarët gjejnë edhe golin e dytë me Bernard Berishën. Mesfushori kosovar niset me shpejtësi përpara, godet fort me të djathtën nga jashtë zone, topi devijohet dhe përfundon në rrjetë. Pas golave, korçarët ulin ritmin dhe administrojnë lojën. Pjesa e parë u mbyll në shifrat 2­-0.

Me fillimin e fraksionit të dytë, Skënderbeu hidhet sërish në sulm dhe gjen edhe golin e tretë me Prognin në minutën e 58-­të. Mesfushori pasi merr një pas, i gjendur në qendër të zonës së Tërbunit, shmang ndërhyrjen e Danajt dhe gjuan, goditja e tij përfundon në rrjetë. Goli i dytë sezonal për mesfushorin tropojan i cili në fundin e ndeshjes gjen edhe golin e dytë personal (tretin sezonal) duke vulosur takimin në 4-0.

(m.k/Panorama/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: