Kanë përfunduar edhe 5 ndeshjet e futbollit, të luajtura për javën e 29-të të Kategorisë Superiore, gjatë së cilave nuk kanë munguar edhe rezultatet surprizë. Elbasani i vendit të fundit, është shkatërruar nga Kukësi i vendit të parë, i cili e ka dominuar ndeshjen duke e mposhtur thellë në shtëpinë e saj, skuadrën e Shqipërisë së mesme me shifrat 0 me 4.

Autorët e golave për pretendentët kuksianë të cilët renditen në vendin e parë me plot 61 pikë, ishin Xheferson në minutën e 9-të, Pejiç në minutën e 39-të dhe 47-të dhe Dushku në minutën e 70-të. Në takimin Vllaznia – Teuta, shkodranët e kanë marrë 3 pikëshin me anën e golit të vetëm të takimit, gol ky i cili u realizua nga Shtubina në minutën e vetme shtesë të akorduar në pjesën e parë.
Vllaznia e Shkodrës aktualisht ndodhet në vendin e 4-rt nga fundi, me 33 pikë, dhe jashtë zonës së rrezikut (zbritjes nga kategoria), ndërsa Teuta e Durrësit rrezikon disi, pasi renditet e treta nga fundi me 23 pikë, dhe ndiqet nga Elbasani thuajse i pa shpresë dhe thuajse i rënë nga kategoria (i renditur në vendin e fundit me 13 pikë), dhe Apolonia e Fierit, skuadra e parafundit me 16 pikë.
Surpriza e javës së 29-të të ndeshjeve të futbollit të zhvilluara në Kategorinë Superiore ndodhi në ndeshjen Laçi Skënderbeu, ku gjatë kësaj ndeshje laçianët edhe pse me 2 kartona të kuq të marrë nga Sheta në minutën e 11-të dhe Çela në të 78-tën, arritën ta fitonin takimin me Ujqërit e Dëborës (edhe këta me 1 karton të kuq Nimag në minutën e 94-tërt) me anën e golit të realizuar nga Sefgjinaj pikërisht në minutën e 94-tërt.

3 pikëshi i fituar nga laçianët, i ka çuar ata në vendin e 5-të me 53 pikë, ndërkohë që korçarët pretendentë renditen tashmë në vendin e dytë me 60 pikë.“Demat e Kuq” të trajnerit Shpëtim Duro, pra skuadra e Partizanit, në takimin e zhvilluar kundër Apolonisë së Fierit, ndeshje kjo e luajtur në Stadiumin Qemal Stafa, nuk i kanë zhgënjyer tifozat dhe aspiratat e tyre drejt titullit kampion.
Edhe pse në pjesën e parë takimi u mbyll në shifrat 0 me 0, në minutën e 71 do të mendonte Raçiç për të shënuar golin e vetëm të fitores, dhe të 3 pikëve që i mbajnë ata të mbërthyer në vendin e tretë me 59 pikë.

(a.n/ata/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb