Me fundjavën pushim, java e 29-të e Superligës vjen e ndarë në dy ditë, të hënën dhe të martën. Dy ekipet e kryeqytetit, Dinamo dhe Partizani zbresin të parat në fushë, me dy ekipet që kërkojnë të rikthehen sa më shpejt te fitorja. Dinamo pësoi një humbje të pastër ndaj Egnatia-s, por të hënën ekipi i Ilir Dajës pret në “Elbasan Arena” ekipin e Bylis, një rival jo i lehtë pasi ballshiotët luftojnë për të mbijetuar mes më të mirëve. 7 javë përpara fundit të sezonit të rregullt, Dinamo qëndron e qetë në vendin e tretë, plus 7 pikë në raport me Partizanin.

Ekipi i kuq po kalon një moment shumë të vështirë teksa kanë pësuar 4 humbje radhazi në kampionat, një ecuri negative që ka vendosur ndjeshëm në pikëpyetje edhe prezencën e tyre në “final-four”. Kalendari i rezervon këtë javë ekipit të Abilaliaj, Skënderbeun, një kundërshtar që kërkon pikë me çdo kusht për të mbajtur të gjallë objektivin e tyre për të mbijetuar këtë sezon.

Të martën, Egnatia, ekipi kryesues, pret Laçin, por vëmendja kryesore është te “Klasikja” e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia. Ekip i Bledi Shkëmbit shfaqi një formë shumë të mirë në sfidën e fundit teksa triumfuan përballë Laçit me “poker” golash, por bardhebluve i duhet vazhdimësia për t’u larguar nga zona e rrezikshme. Kjo “Klasike”, e fundit për këtë sezon do të luhet në “Elbasan Arena”.

Sfida tjetër që rezervon kjo javë është Teuta-Elbasani, një ndeshje shumë e fortë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: