TIRANE- Në kuadër të javës së solidaritetit, nisma e Bashkisë së Tiranës, së fundmi kryeqytetit i është shtuar dhe një çerdhe e re në Kodër Kamëz. Krybashkiaku Erion Veliaj gjatë inaugurimit të ambienteve të reja të Çerdhes numër 59 tha se nuk ka simbolikë më të mirë në ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, sesa përurimi i kësaj çerdheje, e cila vjen si kontribut i solidaritetit të shoqërisë.

“Ashtu siç ka edhe emrin, më vjen mirë që historia e kësaj çerdheje të ndërtuar që në vitin 1955, përfundon si përralla e Kësulëkuqes: pas 4 viteve në ‘barkun e ujkut’, çerdhja vjen si histori suksesi për gjithë banorët e Kodër-Kamzës”, tha Veliaj.

“Ky është një investim rreth 28 milionë lekë, duke mundësuar një nga çerdhet më moderne sot në Tiranë. Më vjen mirë që nisma “Adopto një çerdhe” përkoi po ashtu, edhe me javën e solidaritetit, ku duam të përkujtojmë ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, jo me fjalime, por me vepra konkrete në komunitet. Të gjithë ata që kontribuuan duke mbështetur këtë nismë, tregojnë se ne jemi pasardhës të shenjtores, jo me fjalë, por me vepra konkrete”, tha Veliaj, teksa falenderoi bizneset e zonës që kontribuuan në rikonstruksionin e çerdhes.

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi nismën “Adopto një çerdhe”, duke e konsideruar një nisme të suksesshme dhe premtoi se ajo do të vijojë edhe për rikonstruktimin e objekteve të tjera si kopshtet dhe shkollat.

“Dua t’ju informoj se në këtë fazë thuajse kemi përfunduar me rikonstruksionin e 31 çerdheve të qytetit të Tiranës. Po fillojmë një operacion të ngjashëm me kopshtet e shkollat, për t’u siguruar që u japim prioritet fëmijëve, qytetarëve më të vegjël të Tiranës, dhe për të filluar një risi edhe në menaxhimin e qytetit, ku mendojmë për brezin tjetër dhe jo për zgjedhjet e reja”, përfundoi kryetari i Bashkisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: