Deputeti i PD-së Edmond Spaho ka bërë kallëzim në Prokurori pas incidentit të ndodhur në fshatin Zvezdë të Maliqit.

Ai ka treguar gjithçka ka ndodhur, që nga moslejimi i tij në Qendrën e Votimit nga persona të paidentifikuar deri te sulmi fizik ndaj tij.

Spaho thotë se është ofenduar nga disa persona dhe është qëlluar në fytyrë pasi ka akuzuar deputetin e PS Ilir Pendavinji.

  • foto galeri
  • foto galeri

KALLËZIMI NË PROKURORI
Sot kam shkuar në fshatin Zvezdë për të kontrolluar ecurinë e zgjedhjeve vendore. Kam shkuar në Qendrën e Votimit e cila ndodhej në katin e parë të shkollës së këtij fshati ku ndodhej njëra nga Qendrat e Votimit.
Në Qendrën e Votimit unë kam shkuar vetëm dhe kur kam shkuar kam konstatuar se në hyrjen e derës së shkollës, në verandën e saj dhe në korridorin e katit të parë kanë qenë prezentë dhjetëra persona në moshë të re, të cilët kishin në kokë kapuçë xhupi. Dua të them se me Kodin Zgjedhor nuk lejohet prezenca e grupeve të tilla në distancë jo më të vogël se 200 metra.

Në momentin që unë kam dashur të thërrisja njërin prej përfaqësuesve të subjektit tim në Komisionin e votimit dy persona të moshës rreth 25 apo 30 vjet me kurriz nga unë më kanë bllokuar rrugën. Unë kam tentuar që të zhvendosem, por të dy persona më bllokonin rrugën. Në këto kushte unë njërit prej këtyre personave i kam kërkuar që të më hapte rrugën. Ky person mbante veshur një xhup me ngjyrë të zezë dhe refuzoi të hapte rrugën duke më thënë që nuk të lejoj që të hysh.

Ai më ka thënë që ti Edmond Spaho, deputeti i Partisë Demokratike nuk ke për të hyrë. Të dy këta persona unë nuk i njoh. I ndodhur në kushtet e privimit të të drejtave të mia u përpoqa që ta shtyj që unë të hap rrugën. Por menjëherë të gjithë të rinjtë që ndodheshin në korridor më kanë rrethuar dhe nuk më lanë që të komunikoj me përfaqësuesin tim që përfaqëson Partinë Demokratike. Unë jam detyruar që të dal jashtë dhe kam njoftuar policinë e Maliqit dhe KZAZ-në.

Gjatë kohës që unë prisja ardhjen e policisë së Maliqit dhe përfaqësuesve të KZAZ jam sharë, ofenduar dhe bërë presion nga gjithë grupi i të rinjve që kishte bllokuar hyrjen e shkollës dhe korridorin. Unë me telefonin tim i kam filmuar duke u bërë video dhe u kam bërë dhe fotografi dy të rinjve të cilët më kanë bllokuar në korridorin e shkollës. Më pas kam dalë jashtë dhe në oborrin e shkollës ka ardhur deputeti Ilir Pendavinji i cilit ishte i shoqëruar me një grup të dytë të rinjsh.

Sapo ata më janë afruar shpërthyen në lumë të sharash dhe ofendimesh ndaj meje. Meqenëse unë e njihja deputetin Ilir Pendavinji i jam përgjigjur që ti je i lidhur me bandat dhe me banditë dhe kërkon të deformosh vullnetin e qytetarëve në zgjedhje. Dikush një person të cilin unë nuk e kam parë më goditi në buzën e sipërme, në krahun e majtë. Për të mos u acaruar më tej situata unë kam marrë një nga mbështetësit e mi dhe kam dalë jashtë territorit të shkollës.

Ndërkohë në shkollë ku zhvillohej procesi i votimit kanë ardhur përfaqësuesit e KZAZ ku unë kam njohur nënkryetarin, shtetasin Kujtim Hoxha. Në këtë moment kanë ardhur dhe punonjësit e policisë. Dua të them se me punonjësit e policisë jam takuar jashtë territorit të shkollës të cilëve u kam thënë sa më lart dhe më pas kam ardhur në Komisariatin e Policisë Maliq për të dhënë kallëzim. Gjë tjetër nuk kam për të thënë. Thëniet e mia janë të vërteta dhe pa ndikimin e askujt.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb