Endri Shabani tha në emisionin “Open” tha se synon krijimin e një fronti të përbashkët me forcat e reja dhe përfaqësimin në parlament me një brez të ri.
Shabani tha se ka ardhur koha që shqiptarët të zgjedhin nëse duan që jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre t’ua administrojë Sali Berisha, Ilir Meta dhe Edi Rama, apo duan një alternativë të re.
“Edi Rama u soll si baloz i pamposhtur, por nga viti 2017 nuk merr më shumë se 48 % të votave. Këtu nuk është problemi që fiton Edi Rama, por humbet Sali Berisha, i cili me qëndrimin e tij, i jep oksigjen pushtetit të Ramës”, tha Shabani.
Në replikë me të, Gazment Bardhi tha se i pëlqen fakti se Edi Rama merr 48% të votave, por ai është në qeverisje, sepse ka një opozitë të fragmentarizuar, që fragmentarizohet vota.
“Shabani bën sikur lufton Edi Ramën, le të na thotë është në opozitë ose jo”, iu drejtua Bardhi, Shabanit.
Në vijim, Shabani i kujtoi Bardhit deklaratën që ka bërë në janar të 2022, kur shprehej se “Berisha po i jep oksigjen Ramës. Ti ke fragmentarizuar PD-në, unë kam qenë opozitar në 2021, sikundër kam qenë edhe në 2013”.
“Votat e mia nuk i merr dot kurrë ti, sepse je i paqëndrueshëm. Ti ke lëvizur, dikur thoje për Berishën që i jep oksigjen Ramës, tani ke ndryshuar”, tha Shabani.
“Ti je sponsorizim i Edi Ramës në politikë, ty të mbështet Edi Rama, i shërben tezës kryesore të Edi Ramës. Ti edhe votat kundra Ramës i mbledh dhe i hedh në det”, tha Bardhi, duke iu drejtuar Shabanit.
Në vijim Bardhi i tha Shabanit se e përdor Edi Rama duke e futur dhe nxjerrë nga xhepi.
“Ti ulesh dhe ngrihesh nga prehri, ke qenë ministër i Edi Ramës, akuzove Sali Berishën për vrasje, ndërsa tani i shërben Berishës”, iu përgjigj Shabani.