Dera e BE-së është e hapur dhe kjo është në interes jo vetëm të Maqedonisë së Veriut, por edhe të të gjithë vendeve të rajonit dhe të vetë BE-së, deklaroi sot ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn në një konferencë të përbashkët shtypi me homologun e tij maqedonas, Nikola Dimitrov në Shkup.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në lidhje me qëndrimin rezervë drejt zgjerimit edhe të vendeve të tjera anëtare të BE-së, përveç Francës, si Holanda dhe Danimarka, Asselborn theksoi se vlerëson se nëse Parisi ndryshon qëndrim, atëherë sipas gjitha gjasave edhe vendet tjera duhet ta ndjekin atë shembull.

”Komisioni Evropian dha raport pozitiv për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nëse Franca merr qëndrim pozitiv, atë do ta ndjekin edhe vendet e tjera anëtare. Nëse nuk kemi sukses tani, përveç se do të jetë e dëmshme për vendin tuaj, kjo do ta dëmtojë edhe politikën europiane të Ballkanit”, vlerësoi Asselborn.

Shefi i diplomacisë së Luksemburgut e theksoi edhe nevojën nga përforcimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit.

“Brukseli është më larg jush, por ju jeni këtu në një rajon të njëjtë dhe bashkëpunimi duhet të forcohet”, theksoi Asselborn.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb