Qindra demonstrues që protestuan për shtrenjtimin e kostos së jetesës në Jemen bastisën qendrën administrative të qeverisë, Pallatin Meashik, në kryeqytetin e përkohshëm Aden.

Sipas informacioneve nga burimet lokale, demonstruesit u mblodhën në Aden për të protestuar ndaj zhvlerësimit të monedhës vendase, pamjaftueshmërisë në shërbimin publik dhe përkeqësimit të kushteve të jetesës.

Burimet raportuan se demonstruesit e zemëruar kanë hyrë në Pallatin Meashik pa ndonjë rezistencë nga rojet e pallatit.

Gjithashtu thuhet se demonstruesit hynë në seksionet speciale ku qëndrojnë ministrat, ndërsa nuk u dha asnjë informacion nëse kishte ndonjë zyrtar në pallat gjatë bastisjes.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe kaosi që nga viti 2014, kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana. Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni ushtarak i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një fushatë ajrore shkatërruese kundër rebelëve që synonte të rikthente fitimet territoriale.

Dhjetëra mijëra jemenas, përfshirë civilë, besohet se janë vrarë në konflikt, i cili ka çuar në një nga krizat më të këqija humanitare në botë pasi miliona njerëz mbeten të rrezikuar nga uria.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb